Mesfushori Kvicha Kvaratskhelia do të jetë pjesë e skuadrës së Napolit të paktën deri në verën e vitit 2028, ka bërë të ditur “Gazzetta dello Sport” të mërkurën. Mësohet se gjeorgjiani ka pranuar ofertën e Napolit për kontratën e re, që do të zyrtarizohet brenda pak ditëve.
Me kontratën e re, Kvaratskhelia do të mbetet te Napoli deri në vitin 2028, ndërsa do ta ketë opsionin e vazhdimit deri në vitin 2029. Po ashtu, me kontratën e re, atij i është ngritur paga në 3 milionë euro.
22-vjeçari ishte ndër më të merituarit që Napoli e fitoi titullin e kampionit në Serie A edicionin e fundit. Ai ishte edhe ndër lojtarët më të dalluar në kampionatin italian, ndërsa Napolit iu bashkua verën e shkuar nga Dinamo Batumi.
Në 43 paraqitje në të gjitha garat, Kvaratskhelia pati 14 gola e 17 asistime.