Burim Kukeli ka kryer shumë punë në Kombëtaren e Shqipërisë, pa rënë shumë në sy. Pa shumë bujë 36-vjeçari po përgatitet edhe për karrierë të mëtejme në futboll, pasi të përfundojë me paraqitje në fushë.
Mesfushori të martën ka bërë hap të rëndësishëm drejt funksionit që e synon, pasi të përfundojë karrierën si lojtar aktiv. Ai është emëruar në shtabin teknik të skuadrës, për të cilën do të vazhdojë të luajë Kriens.
Te Kriensi i kategorisë së dytë zvicerane, do të ketë rol të dyfishtë. Do të jetë ndihmës i trajnerit e po ashtu lojtar i skuadrës.
Kukeli, që shquhet për punën e madhe që bën në fushë, ka vazhduar të martën për një vit kontratën me Kriensin.
“Burimi na është bashkuar një vit më parë dhe ka kontribuuar shumë në edicionin e suksesshëm të skuadrës, me përvojën e tij dhe me kuptueshmërinë ndaj lojës. Në muajt e kaluar ai është pajisur me licencën A të UEFA-s dhe tani do të marrë përvojë fillestare si asistent i trajnerit në ekipin e parë”, ka njoftuar Kriensi në faqen zyrtare.
Kriensi përfundoi edicionin në vend të pestë. Kukeli ka luajtur në 21 ndeshje.
Edhe
Kukeli po bën hapa të mëdhenj edhe në karrierën si trajner
Ai është shumë gjatë në futbollin zviceran. Ndeshjet e para si senior i ka luajtur në edicionin 2007/08 te Schoetzi i kategorisë së tretë. Më pas luajti në Superligë për Luzernin plot pesë vjet. Gjashtë vjet i kaloi te Zuerichu, pesë prej tyre në Superligë. Dy vjet ishte te Sioni, po në Superligë, ndërsa prej vitit të kaluar luan për Kriensin. Për Shqipërinë i ka 27 ndeshje. Ka startuar në dy prej tri ndeshjeve të Shqipërisë në “Euro 2016”, që mbetet suksesi dukshëm më i madh i kuqezinjëve.
“Burimi mund të na ndihmojë ende si futbollist me rutinën e tij dhe me qetësinë që e karakterizon kur e ka topin në pronësi. Ne jemi të lumtur që ai është në dispozicion të ekipit si lojtar në edicionin e ri. Për më tepër, Burimi mund të fitojë përvojë si asistent-trajner në ekipin e parë. Mund të kontribuojë edhe në këtë pozitë. Do të përfitojë edhe klubi prej njohurive të tij dhe prej pasionit që ai ka për futbollin”, ka thënë Bruno Galliker, drejtor sportiv i Kriensit.
Numri i shqiptarëve që punojnë si trajner në nivele të larta nuk është i madh. Besnik Hasi ka kohë që punon në nivel serioz, kurse Igli Tare udhëheq me shumë sukses Lazion, si drejtor sportiv. Kanë provuar edhe të tjerë, por pa mbijetuar gjatë në nivel të lartë.