Pas karrierës së suksesshme si futbollist, Burim Kukeli po zhvillohet hovshëm edhe si trajner. Kukeli është promovuar nga ekipi U21 tek ekipi A i Grasshopperit, klub i njohur zviceran.
Grasshopperi të premten njoftoi për avancimin e Kukelit, ish-reprezentues i Shqipërisë. Ai tani është një prej ndihmësve në ekipin senior të Grasshopperit.
“Grasshopperi është i lumtur të promovojë Burim Kukelin nga ekipi U21 tek ekipi i parë. Asistenti i mëparshëm, Sero Noka, tani e merr drejtimin e Grasshopperit U21”, shkruan në njoftimin e klubit.
Kukeli në vitin 2021 e përfundoi karrierën si futbollist dhe nisi si trajner. Fillimisht ishte asistent te skuadra Kriens. Më pas ishte ndihmës te Wili dhe Sioni, skuadrat e tjera zvicerane.
“Grasshopperi është krenar që e ka Kukelin në stafin e trajnerëve të ekipit të parë”, shkruan tutje në njoftim.
Kryetrajner te Grasshopperi është Bruno Berner, me të cilin Kukeli kishte punuar te Kriensi.
Kukeli është 39-vjeçar. Ka luajtur si mesfushor defanziv, ndërsa për Shqipërinë ka zhvilluar 27 ndeshje. Ishte pjesë e “Evropianit 2016”.
Edhe
Kukeli trajner i U21 të Grasshopperit
Pas karrierës në klube më të vogla zvicerane, në vitin 2008 kaloi te Luzerni. Luajti me shumë sukses dhe më pas qëndroi te Zuerichu prej vitit 2012 deri në vitin 2017. Ka luajtur më pas për Sionin dhe për Kriensin.
Grasshopperi edicionin e kaluar ishte i shtati në Superligën e Zvicrës. Ka 27 tituj të Zvicrës, që është rekord. Por titullin e fundit e ka fituar në vitin 2003.
Amir Abrashi, Florian Hoxha, Meritan Shabani, Dion Kacuri janë futbollistët shqiptarë të kësaj skuadre.