Sport

Kukeli lirohet nga detyra e trajnerit, fokusohet në fushë

Prishtinë, 5 janar – SC Kriens i ka nisur përgatitjet me një mision të vetëm – mbijetesën në Kategorinë e Dytë të Zvicrës. Për të arritur këtë qëllim, klubi zviceran që garon në “Challenge League”, i ka nisur përgatitjet me ndryshime. Një prej ndryshimeve është edhe pozicioni i Burim Kukelit në klub. Kukeli është liruar nga posti i ndihmëstrajnerit te Kriensi për t’u fokusuar vetëm në fushë si lojtar.

Kukeli thotë se për të mirën e klubit është pajtuar që ta lirojë postin e ndihmësit që të fokusohet për ta ndihmuar ekipin në fushë. Në vend të Kukelit është emëruar 39-vjeçari, Aurelien Mioch.

“I duhem klubit më shumë si lojtar për pjesën e mbetur të edicionit, sepse kemi pak probleme në ekip dhe më vlerësojnë si të fortë në ekip. Por, lirimi nga pozita e trajnerit është bërë me marrëveshje të dyanshme, më vonë nuk e di se çka do të bëhet. Nuk e kemi diskutuar”, ka thënë Kukeli të martën për KOHËN.

Kukeli 36-vjeçar në korrik të vitit të kaluar u transferua te Kriensi, derisa atij i ishte ofruar pas një kohe edhe posti i ndihmëstrajnerit. Ai ishte transferuar nga skuadra e Sionit, ndërsa karrierë ka bërë edhe te Zuerichu, Luzerni, dhe disa skuadra të tjera pak të njohura në Zvicër.

Kukeli thotë se ndihet mirë fizikisht dhe se është gati ta japë kontributin e tij në fushë.

“Për momentin jam shumë mirë me shëndet, edhe pse vitin e kaluar e kisha virusin dhe prandaj nuk kam mundur të luaj shumë. Më ka kushtuar shumë virusi, kurse tani jam shumë mirë dhe më duhet ta ndihmoj ekipin, sepse nuk jemi në pozitë të mirë. Virusi më ka dëmtuar, më ka munduar shumë fizikisht”, është shprehur Kukeli.

Kukeli me skuadrën e tij Kriens do të luajë të shtunën ndeshje miqësore kundër ish-skuadrës Sionit, ndërsa edhe ndaj Luzernit, ku po ashtu ka bërë karrierë, luan më 16 janar. Ndeshja e parë serioze për Kriensin është më 22 janar në kuadër të kampionatit kundër Neuchatel Xamaxit. Kriens është në vendin e shtatë me 13 pikë, sa ka edhe Wili, kurse një pikë më pak ka Xamaxi i parafundit. Në vendin e fundit është Chiasso me 11 pikë.

Kukeli shpreson ta ndihmojë ekipin e tij të mbijetojë. Ai pas këtij edicioni thotë se do ta shqyrtojë seriozisht edhe pensionimin për t’u fokusuar maksimalisht në zejen e trajnerit.

“E lë si mundësi të hapur tërheqjen nga futbolli aktiv, por jo edhe largimin nga futbolli. Në klub po vlerësojnë se kam ende çka të jap dhe kjo është një gjë e mirë për mua, që i bie se ende jam produktiv për të luajtur në këtë nivel të garave. Por, unë nuk dua të fiksohem, tani është më shumë shërbim për klubin, por e bëj me gjithë qejf se e dua ende futbollin”, ka thënë ish-futbollisti i përfaqësueses së Shqipërisë.

Me Shqipërinë, Kukeli ka qenë pjesëmarrës në kampionatin Evropian “Euro 2016”.

“Evropiani me Shqipërinë është momenti më i mirë në karrierën time si futbollist. Është një moment që çdo futbollist kërkon ta përjetojë. Unë e kam përjetuar dhe jam shumë i lumtur. Por, ka pasur edhe momente të hidhura si ai i vitit 2013 kur kam thyer këmbën. Ka qenë moment i keq, por mësimi më i mirë. Për mua ka qenë pastaj fat, sepse njeriu mëson shumë”, ka thënë Kukeli.