Kanë kaluar më shumë se dy vjet prejse Lorenc Trashi luajti ndeshjen e fundit me fanellën e Kombëtares së Shqipërisë. Më 12 tetor të vitit 2021, Trashi u paraqit për 65 minuta në ndeshjen që Shqipëria e humbi 1:0 nga Polonia në kualifikimet e Botërorit “Katari 2022”. Ndeshja u zhvillua në stadiumin “Air Albania” në praninë e 21 mijë shikues.
Trashi 31-vjeçar, kthehet këtë javë të luajë në stadiumin e bukur në Tiranë. Synon ta ndihmojë Ballkanin ta fitojë ndeshjen kundër Viktoria Plzenit.
Të enjten kampioni i Kosovës, Ballkani, do ta zhvillojë ndeshjen më të rëndësishme në Ligën e Konferencës. Në “Air Albania” e pret liderin e Grupit C, Plzenin çek.
“Ndeshjen e fundit e kam luajtur me Kombëtaren në atë stadium. Është një stadium fantastik dhe shpresoj të na sjellë shumë fat. Për mua është një kënaqësi e madhe, sepse u bë një kohë që nuk kam luajtur në atë stadium. Pra, nga koha me Kombëtaren dhe Partizanin”, ka thënë Trashi të martën për KOHËN.
Trashi për Shqipërinë ka luajtur 15 ndeshje, ndërsa gjatë luajti edhe për Partizanin e Tiranës. Plot 232 ndeshje i kishte me Partizanin, kurse për Ballkanin ka 39 ndeshje.
Ballkani është në vendin e tretë në grup me katër pikë nga katër ndeshje, sa i ka edhe Astana e Kazakistanit. Dinamo Zagrebi është i fundit me tri pikë. Plzeni udhëheq me 12 pikë dhe e ka siguruar kalimin në fazën nokaut.
Ballkanit i duhet fitorja për të mbajtur gjallë shpresat për kalim tutje. Kalimi në fazën nokaut do të ishte sukses historik. Lojtari i krahut, Trashi, ka bërë thirrje për përkrahje masive.
“Mbështetja e tifozëve do të jetë një plus i madh për ne dhe një forcë shtesë. Shpresoj të vijnë sa më shumë shikues. Është një sakrificë, sepse është larg, por kam besim që do të jenë aty për të na mbështetur”, ka theksuar Trashi.
Trashi e di se për Ballkanin do të jetë ndeshja më e rëndësishme në këtë fazë të garave të Ligës së Konferencës.
“Për ne është ndeshje shumë e rëndësishme. Duke parë se si jemi me pikë, një fitore do të na jepte më shumë qetësi. Duhet ta japim maksimumin tonë dhe të jemi të disiplinuar në fushë, në detyrat që na jep trajneri”, është shprehur majtaku.
Paraqitje në Tiranë ka pasur më herët edhe Nazmi Gripshi. Ai në Shqipëri ka luajtur për Teutën e Durrësit dhe Skënderbeun e Korçës. Gripshi e Trashi janë prej lojtarëve më të rëndësishëm te Ballkani.
“Dihet rëndësia e ndeshjes dhe shpresoj të kemi sa më shumë mbështetje nga ana e tifozëve, sepse tifozët janë plus i madh për ekipin, për ne lojtarët”, ka thënë Gripshi.
Ai uron që stadiumi “Air Albania” të sjellë fat edhe për Ballkanin, ashtu si për Kombëtaren e Shqipërisë që siguroi për herë të dytë kualifikimin në Evropian. Shqipëria ka qenë e pamposhtur në “Air Albania” në kualifikimet për “Euro 2024”.
“Shqipëria ka shkuar në ‘Euro 2024’ duke mos e humbur asnjë ndeshje në ‘Air Albania’. Dhe, shpresoj të jetë me fat ai stadium edhe për ne për të shënuar fitore. Për mua është një ndjesi e mirë që të kthehem të luaj në Shqipëri. Shpresoj ta bëjmë më të mirën në atë stadium dhe t’i bëjmë krenarë të gjithë shqiptarët që na përkrahin”, ka thënë Gripshi.
Skuadra nga Suhareka është dashur ta luaj në stadiumin “Fadil Vokrri” ndeshjen kundër skuadrës çeke. Por fusha në stadiumin e Prishtinës nuk i plotëson kushtet për ndeshje ndërkombëtare. Kështu Ballkani është detyruar të zhvendoset në Tiranë për ndeshjen e fundit si vendase në grupe. Nëse eventualisht e kalon grupin, kampioni kosovar do të luajë në Tiranë edhe ndeshjet si vendas të fazës nokaut.
Ballkani të martën u vendos në Tiranë. Ka zhvilluar stërvitje në kompleksin e Dinamo Cityt.