Pas 51 paraqitjeve, Amir Abrashit, iu organizua ceremoni përshëndetëse si lojtar i Shqipërisë të dielën. Abrashi ka treguar për emocionet që përjetoi në stadiumin “Air Albania” në Tiranë. Ai u përshëndet para fillimit të ndeshjes Shqipëri – Angli, që ishte e fundit kualifikuese për Botërorin e vitit të ardhshëm. “Kur të gjithë tifozët në stadium u ngritën në këmbë dhe më brohoritën, papritmas u emocionova shumë. Të godet në atë moment. Koha jote ka mbaruar vërtet dhe një kapitull i mrekullueshëm po mbyllet”, ka thënë Abrashi të hënën për “Blick”.
Abrashi ishte pjesë e Kombëtares në dy Kampionate Evropiane.
Në Euro 2016, ai kompletoi të tri ndeshjet e fazës grupore. Ndërkohë në Euro 2024, ishte vetëm rezervist.
35-vjeçari së fundi për Shqipërinë është paraqitur më 16 nëntor të vitit të kaluar në barazimin pa gola me Çekinë. Këtë vit nuk është grumbulluar dhe nuk do të grumbullohet më.