Përzgjedhësi i Kosovës në basketboll, Rami Hadar, të shtunën nis përgatitjet me ekipin për parakualifikimet e “Eurobasket 2025”.
“Dardanët” gjatë muajit korrik dhe gusht do t’i zhvillojnë katër ndeshje në kuadër të Grupit H, ku do të përballen nga dy herë me Zvicrën dhe Danimarkën. Kosova mblidhet me synimin për të siguruar vendin e parë në grup dhe për të avancuar tutje. Përgatitjet Kosova i nis pasdite në Prishtinë.
Të shtunën do të mbahet një stërvitje pasdite, e cila do të jetë e mbyllur, përpara se të vazhdohet me nga dy stërvitje në ditë që nga e diela. Kështu ka njoftuar drejtori i përfaqësueses, Adriatik Rraci, të premten. Ai ka thënë se lojtarët kanë punuar individualisht në dy javët e fundit, bazuar në planprogramin e dërguar nga trajneri kondicional, në mënyrë që të jenë në gjendje të mirë fizike kur të startojnë me përgatitjet intensive nën urdhrat e përzgjedhësit Hadar.
“Të shtunën pasdite edhe zyrtarisht nisin përgatitjet për ndeshjet parakualifikuese që do t’i kemi gjatë kësaj vere. Stërvitja e parë do të jetë e mbyllur pasi ashtu ka kërkuar trajneri. Vetëm të shtunën do të jetë një stërvitje, përpara se të fillojmë me dy stërvitje në ditë. Stërvitjet do t’i zhvillojmë në palestrën e shkollës në lagjen ‘Marigona’, pasi aty është i vendosur ekipi. Por nëse trajneri kërkon ndonjë stërvitje në palestrën e madhe të kryeqytetit, atëherë e kemi edhe atë opsion”, ka thënë Rraci.
Javë më parë Hadar ka publikuar listën e zgjeruar prej 17 lojtarëve, e cila pastaj do të reduktohet në 13 apo 14 pas javës së parë të përgatitjeve. Në stërvitjen e parë pritet të jetë të pranishëm të gjithë basketbollistët, ndonëse dyshimi mbetet për Mikaile Tmushiqin dhe amerikanin Dominic Artis.
“Tmushiqi ka gjasa të mos jetë i pranishëm në stërvitjen e parë për shkak se bashkohet në mbrëmje me ekipin, sikurse edhe amerikani Artis për shkak të fluturimit. Pjesa tjetër e lojtarëve është aty dhe besoj se prej të dielës ekipi do të jetë i kompletuar për të vazhduar punën”, shtoi Rraci.
Fundori Artis është amerikani më i ri i natyralizuar nga Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK). Ai ende nuk është pajisur me pasaportën kosovare, ndonëse aplikimi nga ana e FBK-së është bërë me kohë dhe pritet vetëm dekreti nga presidentja Vjosa Osmani.
Edhe
Të tjera ndeshje të rëndësishme të Kosovës, tani në basketboll
Javën tjetër Kosova mund të udhëtojë në Kroaci për një ndeshje miqësore me Austrinë, por FBK-ja është në pritje të lëshimit të vizave.
Nëse anëtarët e delegacionit do të pajisen me viza, atëherë Kosova më 7 apo 8 korrik do të udhëtojë në Kroaci për ndeshjen miqësore, përpara se të vendoset në qytetin e Prizrenit nga 10 korriku, ku do të qëndrojë deri më 19 korrik, kur luan ndeshjen e parë.
Duelin e parë Kosova e luan në shtëpi kundër Zvicrës në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren, pastaj zhvillon dy ndeshje jashtë, më 26 korrik kundër Danimarkës dhe më 29 korrik ndaj Zvicrës. Ciklin parakualifikues, Kosova e mbyll në Prizren më 5 gusht kundër Danimarkës.