Sport

Hadar shpall listën, emra të rinj te Kosova

Përzgjedhësi i Kosovës në basketboll, Rami Hadar, ka publikuar të hënën listën me emrat e lojtarëve në të cilët llogarit për ndeshjet e këtij muaji.

Përfaqësuesja e Kosovës më 22 shkurt e fillon paraqitjen në raundin e parë të parakualifikimeve për Kupën e Botës 2027. Kosova është në grup me Zvicrën, Irlandën e Azerbajxhanin, ndërsa vendi i parë garanton avancimin tutje. Gjasa për avancim ka edhe prej pozitës së dytë.

Baza e Përfaqësueses ka mbetur e njëjtë, ndërsa lojtarët kryesorë pritet të jenë sërish Drilon Hajrizi, Dardan Berisha, Dominic Artis, Lis Shoshi, Gëzim Morina, Dardan Kapiti, Musab Mala e lojtarët e tjerë që janë bartës në klubet e Superligës.**

Për herë të parë do të grumbullohet Jan Palokaj, që po luan me sukses te Golden Eagle Ylli, ndërsa më herët ishte te Sigal Prishtina.

Në ekipin e zgjeruar janë përfshirë edhe Jon Ismajli që luan në Çeki dhe Norik Binqe që luan në Kroaci.

Në listën e gjerë janë 17 basketbollistë, ndërsa ndërkohë do të përzgjidhet 12-shja finale. Kosova grumbullohet më 18 shkurt, një ditë pas finales së Kupës.

Ndeshjen e parë, Kosova e luan më 22 shkurt ndaj Irlandës në Prishtinë. Më 25 shkurt në Baku është ndeshja Azerbajxhan – Kosovë.

Ndeshjet tjera përfaqësuesja e basketbollit i ka në nëntor, ndërsa në shkurt të vitit të ardhshëm janë ndeshjet e fundit.

Loja e Kosovës sërish pritet të bazohet në lojtarët me përvojë të klubeve të Superligës. Artis, që është i natyralizuar, luan në Turqi dhe ai po ashtu pritet të jetë me peshë.

Jon Ismaili, 18-vjeçar, vlerësohet me të ardhme të ndritur, ndërsa deri më tani ka luajtur për grupmoshat e reja të Kosovës, ku ka shfaqur cilësi. Skuadra e tij luan në kategorinë e dytë të Çekisë, por Ismaili më shumë ka luajtur për ekipin U19 të klubit GBA Lions. Me ekipin e parë i ka tri paraqitje.

Binqe po ashtu është 18-vjeçar, ndërsa luan me juniorët e klubit kroat Dubrava. Me ekipin e parë të këtij klubi e ka një paraqitje.

Jan Palokaj është i lindur në Kroaci, por ka prejardhje nga Kosova. Luan si vendorë në Superligë. Ai ka luajtur për të rinjtë e Kroacisë më parë, ndërsa është paraqitur edhe në kampionate evropiane. Palokaj është 23-vjeçar dhe pritet të jetë “armë shtesë” te Kosova.

Në përfaqësuese është kthyer Mikaile Tmushiq, që mungoi në ndeshjet e kaluara. Së fundi telashe me lëndime kanë pasur Lis Shoshi e Dardan Berisha, por shpresohet që ata do të jenë të gatshëm për ndeshjet e përfaqësuese.

Lista e Përfaqësueses së Kosovës

Dardan Berisha (Sigal Prishtina), Drilon Hajrizi (Trepça), Dominic Artis (Cagdas Bodrumspor), Erjon Kastrati (Trepça), Lis Shoshi (Peja), Gëzim Morina (Golden Eagle Ylli), Mikaile Tmushiq (Trepça), Dardan Kapiti (Trepça), Arian Çallakaj (Peja), Jan Palokaj (Golden Eagle Ylli), Muhamedali Janjeva (Sigal Prishtina), Ardit Pepaj (Vëllaznimi), Musab Mala (Peja), Meriton Ismaili (Peja), Shendrit Llapi (Vëllaznimi), Jon Ismajli (GBA – Çeki), Norik Binqe (Dubrava – Kroaci).