Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Publikohet lista e Kosovës për ndeshjet e nëntorit, ka emra të rinj

lista

Përzgjedhësi Franco Foda e ka publikuar listën e lojtarëve që do të jenë të gatshëm për Kosovën për dy ndeshjet e muajit nëntor. 

Në listën e përzgjedhësit gjerman janë ftuar 27 futbollistë. Ka edhe emra të rinj. 

Për herë të parë te Kosova është ftuar mbrojtësi 27-vjeçar Lindrit Kamberi, që është kapiten i Zurichut.

Është ftuar për herë të parë edhe qendërmbrojtësi i Malmos, Bleon Kurtulus. Bleoni është vëllai i vogël i Edvin Kurtulusit, që më herët ishte kapiten i U21 të Kosovës dhe vendosi ta përfaqësonte Suedinë në nivelin e të rriturve. Bleoni ka luajtur për të gjitha grupmoshat e Suedisë, U16, U17, U18 dhe U21. Tani ka vendosur ta përfaqësojë Kosovën. 

Është ftuar për herën e parë edhe sulmuesi Enis Rexhepi. Rexhepi është qendërsulmues 18-vjeçar, që ka shkëlqyer së fundmi për të rinjtë e Stuttgartit gjerman. 

Kosova më 14 nëntor e pret Izraelin në Prishtinë, ndërsa e mbyll kampanjën e pestë të Ligës së Kombeve më 17 nëntor në Dublin ndaj Irlandës. 

Pas katër ndeshjeve të luajtura në fund të shtatorit dhe fillim të tetorit, Kosova zë vendin e dytë me pesë pikë, sa ka edhe Irlanda në vendin e tretë. Izraeli është i fundit, me dy pikë. 

Edhe Austria me ndryshime për ndeshjet e fundit të Ligës së Kombeve Futboll Austria me ndryshime për ndeshjet e fundit të Ligës së Kombeve

Grupit B3 të Ligës së Kombeve i prin Austria me tetë pikë. 

Kosova e mposhti Irlandën në ndeshjen e parë 1:0. Më pas humbi 3:1 nga Austria, ndërsa në dy ballafaqimet e fundit barazoi pa gola me Izraelin dhe 1:1 me Austrinë.

Grumbullimi i Kosovës nis të hënën, ndërsa nga ora 12:00 do të mbahet konferenca për media.