Dogana dhe Policia e Kosovës kanë njoftuar se kanë parandaluar kontrabandimin e një sasie të mallrave të ndryshme në Ranillug, vlera e të cilave është mbi 10 mijë euro.
Në njoftimin e Doganës thuhet si rezultat i vëzhgimit intensiv dhe vendosjes së dy pritave policore, njësitet operative kanë arritur të identifikojnë dhe ndalojnë tre traktorë të tipit Rakovica, me rimorkio të improvizuara dhe pa targa regjistrimi, të cilët dyshohet se kishin hyrë në mënyrë të kundërligjshme nga Serbia, përkatësisht nga drejtimi i fshatit Konçul, duke shfrytëzuar rrugë malore dhe alternative në drejtim të fshatit Korminjan.
Gjatë operacionit janë ndaluar tre persona të dyshuar, të nacionalitetit serb dhe shtetas të Republikës së Kosovës, të cilët dyshohet se ishin të përfshirë në kontrabandimin e mallrave përmes vijës kufitare.
Gjatë kontrollit të detajuar të mjeteve janë zbuluar dhe sekuestruar mallrat 144 arka me birra të markave Heineken, Tuborg dhe Zaječarsko, 250 kilogramë mish i bluar, 2 thasë me suxhuk, 324 pula të gjalla, 2 printerë profesionalë, 2 pajisje të mëdha të rrjetit (switch) MikroTik, 5 pajisje të mesme të rrjetit (switch) MikroTik dhe 6 monitorë kompjuteri, 24 inç.
Në njoftim thuhet se vlera e përgjithshme e tregut e mallrave të sekuestruara vlerësohet paraprakisht të jetë mbi 10 mijë euro, ndërsa vlera përfundimtare do të përcaktohet nga autoritetet kompetente pas përfundimit të procedurave përkatëse të vlerësimit.
Gjithashtu, në kuadër të operacionit janë ndaluar edhe tre traktorët dhe rimorkiot e përdorura për transportimin e mallrave të dyshuara si të kontrabanduara.