Gara në Superligën e Kosovës në basketboll vazhdon të jetë interesante. Në fundjavë janë ndeshjet e xhiros së tetë, ndërsa derbi ka si të shtunën ashtu edhe të dielën.
Dy skuadrat me traditë, Peja e Sigal Prishtina, përballen të shtunën nga ora 19:30 në palestrën “Karagaçi”. Asnjëra prej tyre nuk është në momentin më të mirë. Peja është e pesta me nëntë pikë, sa i ka edhe Sigal Prishtina në vendin e gjashtë. Peja është në seri prej pesë humbjeve, ndërsa Prishtina ka humbur dy ndeshjet e fundit.
Te Peja pritet të debutojë Dominic Artis, që u prezantua të enjten. Artis, që ka luajtur për Kosovën, vlerësohet se do ta ndryshojë ndjeshëm lojën e ekipit pejan. Peja ka bërë edhe ndryshime të tjera në kërkim të suksesit, ndërsa ka paralajmëruar masa të rrepta për basketbollistët që nuk e japin maksimumin.
Ndeshja e parë mes Prishtinës dhe Pejës nuk ishte zhvilluar pasi skuadra prishtinase ishte e sanksionuar nga BAT-i i FIBA-s dhe nuk mundi t’i regjistrojë lojtarët. Atë ndeshje të xhiros së parë Peja e kishte fituar me rezultat zyrtar. Prishtinës nuk i kishte takuar pika e humbësit dhe për këtë arsye ka pikë të barabarta me Pejën, ndonëse me një fitore më shumë.
Të shtunën është edhe ndeshja mes Vëllaznimit dhe Borës, që fillon në ora 17:00.
Të dielën vëmendja do të jetë në palestrën “13 Qershori” në Suharekë. Nga ora 17:00 takohen skuadrat që synojnë titullin e kampionit, Golden Eagle Ylli dhe Bashkimi.
Bashkimi është lider me 13 pikë, ndërsa Ylli është i katërti me 11 pikë. Bashkimi e nisi furishëm kampanjën, por nuk ka shfaqur formën më të mirë në javët e fundit, ndër të tjera për shkak të lëndimeve të shumta. Ndërkohë Ylli i Suharekës ende është në kërkim të formës më të mirë. Ka arritur fitore të rëndësishme, por jo në vazhdimësi.
Në Prizren, në kuadër të xhiros së parë, Bashkimi kishte fituar ndaj Yllit me rezultatin bindës, 96:60.
Xhiroja e tetë mbyllet në “Minatori”. Të dielën nga ora 19:30, Trepça e pret skuadrën Rahoveci 029. Trepça është e dyta me 12 pikë. Rahoveci 029 është i shtati me nëntë pikë.