Sport

Mungesa të shumta te Kosova për ndeshjen e rëndësishme ndaj Irlandës

Përfaqësueses do t’i mungojnë Dominic Artis, Erjon Kastrati e Jan Palokaj. Sipas FBK-së, Artis e Kastrati janë të lënduar, ndërsa dokumentacioni i Palokajt nuk është kompletuar ende. Në dyshim mbetet paraqitja e Lis Shoshit

Përfaqësuesja e Kosovës në basketboll ka nisur përgatitjet për ndeshjet e para të raundit të parë të parakualifikimeve për Kupën e Botës 2027. Kosova është në fazë të hershme të kualifikimeve, por një kampanjë e suksesshme vlerësohet me shumë rëndësi për basketbollin në vend në përgjithësi. Deri më tani, Kosova nuk ka pasur shumë suksese me përfaqësuese, ndonëse basketbolli në vend është shumë i popullarizuar dhe ka bazë të madhe të tifozëve.

Kosova është në Grupin A së bashku me Zvicrën, Irlandën dhe Azerbajxhanin. Vendi i parë në grup siguron avancimin në raundin e dytë, ndërsa tutje kalon edhe përfaqësuesja e vendit të dytë me bilancin më të mirë prej tri grupeve sa janë gjithsej.

Kosova menjëherë të enjten e luan ndeshjen e parë. Prej orës 19:00 takohet me Irlandën në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë. Të dielën është ndeshja e dytë, ndaj Azerbajxhanit në Baku. Dy ndeshje janë në nëntor e dy të fundit në shkurt të vitit të ardhshëm.

Përfaqësuesja nuk ka pasur kohë të gjatë në dispozicion për përgatitje. Trepça e Prishtina, ku përfaqësuesja i ka lojtarët kryesorë, të shtunën mbrëma kanë luajtur finalen e Kupës së Kosovës. Menjëherë të dielën, kur edhe nisi grumbullimi, lojtarët e këtyre dy skuadrave janë bashkuar me përfaqësuese.

Selektori i Kosovës, Rami Hadar, e ka vlerësuar shumë të rëndësishme ndeshjen e parë.

“Është ndeshja e parë në kampanjë dhe si çdo ndeshje e parë është e rëndësishme për t’u dhënë drejtim kualifikimeve për të krijuar atmosferën e duhur. Nëse duam të kualifikohemi duhet të shfrytëzojmë ndeshjet në shtëpi dhe kjo është e para. Kështu që është ndeshje më se e rëndësishme për ne”, ka thënë Hadar të hënën.

Baza e përfaqësueses përbëhet nga lojtarë të klubeve të vendit. Në fakt numri i lojtarëve cilësorë vendorë në Superligë nuk është i madh. Dhe thuajse për të gjithë ka vend në përfaqësuese. Kosova nuk ka basketbollistë cilësorë në liga evropiane. Janë ftuar dy të rinj nga klube të vendeve të tjera e po ashtu, basketbollisti i natyralizuar, Dominic Artis.

Por të hënën FBK-ja njoftoi se Artis mungon për shkak të lëndimit. I lënduar është edhe Erjon Kastrati i Trepçës, ndërsa Jan Palokaj i Golden Eagle Yllit mungon për shkak të dokumentacionit. Palokaj në të kaluarën ka luajtur për të rinjtë e Kroacisë dhe është dashur të debutojë për Kosovën ndaj Irlandës. Në dyshim mbetet paraqitja e Lis Shoshit. Basketbollisti i Pejës ka pasur telashe me lëndime së fundi. Pra mungesat janë të shumta dhe të rëndësishme.

Në përfaqësuese është kthyer fundori i Trepçës, Mikaile Tmushiq. Ai nuk ishte grumbulluar në ndeshjet e kaluara.

“Ndeshje e rëndësishme. Luajmë në vendin tonë dhe shpresojmë të fillojmë me fitore. Nuk do të jetë lehtë, por shpresoj që lojtarët e rinj do të shfaqin cilësi”, ka thënë Tmushiq.

Ai është njëri prej tre lojtarëve të Trepçës të grumbulluar me përfaqësuese. Katër lojtarë te Kosova i ka edhe Peja, ndërsa Sigal Prishtina dhe Vëllaznimi i kanë nga dy. Ylli ka mbetur me një, pas zhvillimeve rreth Palokajt.

Kapiteni i Yllit, Gëzim Morina, pret përkrahje të shikuesve për ta siguruar fitoren ndaj Irlandës.

“Na pret ndeshje mjaft e rëndësishme. Shpresoj të vini të na përkrahni. Me ju si lojtarin tonë të gjashtë, jemi më të fortë”, ka thënë Morina në një porosi për tifozët e Kosovës.