Sport

Pas karrierës me të rinjtë e Kroacisë, Palokaj i gatshëm të japë kontributin për Kosovën

Në verën e vitit 2021, Jan Palokaj erdhi te Sigal Prishtina si emër jo shumë i njohur. Prej atëherë është prej basketbollistëve të rëndësishëm në Superligën e Kosovës, ndërsa tani ka bërë hapin tutje – i është bashkuar përfaqësueses së Kosovës në basketboll.

Palokaj është 23-vjeçar dhe i lindur në Zagreb të Kroacisë. Luan kryesisht në pozitën e fundit, ndërsa këtë edicion po paraqitet me sukses te Golden Eagle Ylli. Tek Ylli u transferua verën e kaluar nga Prishtina. Në Kroaci ka luajtur për Zagrebin, skuadrën Bosco dhe Zarën. Në Kroaci, Palokaj kishte fituar një titull kampioni dhe dy kupa të Kosovës. Trofe ka fituar edhe me Prishtinën dhe tani synon të fitojë me Yllin. Synon po ashtu të jetë i suksesshëm te Kosova.

Basketbollisti në janar të vitit 2022 ishte pajisur me pasaportë të Kosovës. Prej atëherë ka pasur diskutime që Palokaj të ftohet në përfaqësuese. Është ftuar për ndeshjet e këtij muaji, që Kosova i luan në fazën e parë të parakualifkkimieve për “Botërorin 2027”.

“Prej kur kam ardhur në Kosovë, përgjegjësit në Federatën e Basketbollit të Kosovës kanë shprehur dëshirën që të luaj për ekipin nacional. Gjatë dy vjetëve të fundit janë rregulluar të gjitha dokumentacionet. Ishte e komplikuar pasi më herët jam paraqitur për Kroacinë. Po e zhvilloj edicionin më të mirë në karrierë, kështu që mendoj se e kam merituar ftesën në ekipin nacional”, ka thënë Palokaj për KOHËN.

Te Ylli i Suharekës, Palokaj po luan me mesatare prej 13,2 pikëve për ndeshje, 4,7 kërcimeve e 3,8 asistimeve. Është prej lojtarëve kryesorë në skuadër.

“Mendoj se te Kosova mund të jem energji në mbrojtje dhe kualitet në pozitat e jashtme në sulm. Çdo gjë që selektori do të kërkojë nga unë do të mundohem ta kryej dhe ta ndihmoj ekipin”, ka shtuar Palokaj.

Ai ka luajtur për Kroacinë U16, U18 e U20. Është paraqitur edhe me përfaqësuesen B të Kroacisë. Por nuk fitoi rastin me Kroacinë A në ndonjë ngjarje.

“Kam luajtur në të gjitha kampionatet evropiane të grupmoshave dhe po ashtu isha në turne përgatitor me Kroacinë B te seniorët. Si lojtar i ri që isha gjitha ato ngjarje më kanë shërbyer shumë për zhvillim. Po ashtu kam luajtur kundër lojtarëve më të mirë të rinj në Evropë”.

Nëna e Palokajt është kroate, ndërsa babain e ka nga Gurrakoci i Istogut. Në Gurrakoc e ka një pjesë të familjes, duke përfshirë gjyshin dhe gjyshen.

Kosova është në grup me Zvicrën, Irlandën dhe Azerbajxhanin. Vendi i parë siguron avancimin tutje, ndërsa gjasa për kualifikim ka edhe prej pozitës së dytë.

“Qëllimi i vetëm duhet të jetë që të fitohet grupi dhe të avancojmë në raundin e dytë të kualifikimeve, që Kosova të mund të garojë me përfaqësuese sa më të mira. Mendoj se basketbolli në Kosovë është në rritje dhe ka përparim të vazhdueshëm. Liga është gjithnjë e më e fortë dhe shpresoj që edhe ekipi nacional së shpejti do të ketë rezultate më të mira”, ka theksuar Palokaj.

Në fakt Kosova ka pasur rezultate të zbehta në vitet e fundit. Me ardhjen e Rami Hadarit në postin e selektorit ka pasur lëvizje, por ndonjë ngritje e theksuar sa u takon rezultateve nuk është bërë ende.

Palokaj grumbullohet më 18 shkurt me Kosovën. Por më parë e ka edhe një ndeshje kampionale me Yllin e pastaj turneun final të Kupës së Kosovës.

“Me Yllin po kemi edicion solid. Kemi pasur disa tubulenca gjatë kampionatit, por besoj që në pjesën finale të kampionatit futemi të përgatitur dhe me trajner me përvojë si Mijoviq. Do të kërkojmë rastin tonë për rezultat sa më të mirë në Kupë dhe kampionat”, ka theksuar Jan Palokaj.

Palokaj dhe lojtarët e tjerë të klubeve të Superligës do të jenë bartës të lojës në përfaqësuese edhe në ciklin e ardhshëm kualifikues.