Sport

Kosova pëson edhe në ndeshjen e dytë me Poloninë

Përfaqësuesja e Kosovës në hendboll e ka humbur edhe ndeshjen e dytë nga Polonia. Të mërkurën mbrëma në Pallatin e Rinisë në Prishtinë hendbollistet polake fituan me rezultat 32:20. Kështu Polonia u kualifikua në Kampionatin Botëror që mbahet këtë vit.

Polonia kishte fituar bindshëm edhe ndeshjen e parë. 36:22 ishte rezultati i ndeshjes që të enjten e kaluar u luajt në Bielsko-Biala të Polonisë. Ndeshjet mes Kosovës dhe Polonisë i takuan fazës së dytë dhe të fundit për kualifikim në Kampionat Botëror.

Polaket, që kishin përkrahje të madhe nga tribunat në Prishtinë, madje më të madhe se Kosova, e nisën ndeshjen me seri 5:0. Vetëm më pas lojtaret e Kosovës nisën të reagonin. Kosova u afrua deri në dy gola (12:10), por prapë cilësia e Polonisë erdhi në konsideratë. Pjesa e parë përfundoi 17:12 në të mirë të Polonisë.

Hendbollistet e Kosovës janë angazhuar maksimalisht, por pa mundur të barazonin rezultatin. Ndërkohë në pjesën e dytë Polonia ka mbajtur vazhdimisht epërsi të lartë dhe në fund ka fituar me 12 gola dallim.

Kapitenia Leonora Demaj ishte më efikasja te Kosova me shtatë gola. Ajo kishte 12 tentime. Marigona Hajdari shënoi gjashtë gola nga tetë tentime, ndërsa katër gola nga tetë tentime i kishte Mirela Gjikokaj. Mungoi kontributi nga portieret, që kishin vetëm dy pritje.

Dy portieret e Polonisë i kishin 12 pritje. Monika Kobylinska dhe Dagmara Nocun i shënuan nga shtatë gola për Poloninë. Hendbollistet polake në palestër kishin përkrahjen e zëshme të ushtarëve polakë, derisa Kosovës i ka munguar përkrahja.

“Kishim përballë një kombëtare të nivelit të lartë evropian. Kualiteti i Polonisë është më i madh se i yni. Do të mundohemi tash që në kualifikimet për Evropian të mobilizohemi maksimalisht dhe të japim më të mirën. Kemi bërë një hap të madh, kemi ardhur deri në këtë lojë dhe do të mundohemi të bëjmë edhe më mirë se deri më tash”, ka thënë selektori i Kosovës, Agron Shabani.

Në raundin e parë kualifikues Kosova e kaloi përfaqësuesen e Ishujve Faroe.

“Ende nuk jemi në nivelin e Polonisë. Kemi shumë punë para. Mirëpo edhe pse rezultati doli keq, jam e kënaqur me pjesën e parë. Jemi angazhuar deri në fund. Nuk kishim energji më, u lodhëm. Jemi shumë pak lojtare që luajmë edhe në sulm, edhe në mbrojtje. U harxhuan bateritë në fund. Kemi mësuar shumë nga këto dy ndeshje, jemi të vetëdijshme se çfarë pune na pret për të qenë në nivelin e Polonisë”, ka thënë kapitenia Leonora Demaj.

Botërori i hendbollisteve mbahet në Danimarkë, Norvegji e Suedi prej 29 nëntorit deri më 17 dhjetor.