Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Kosova humb me rezultat të ngushtë nga Finlanda

ks

Hendbollistet e Kosovës e kanë humbur edhe ndeshjen e tretë të fazës së dytë kualifikuese për “Euro 2026”. 

Kosova të enjten mbrëma humbi nga Finlanda në Vantaa me dy gola dallim, 23:21.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Pjesa e parë përfundoi 14:10 në të mirë të finlandezeve, ndonëse “Dardanet” e nisën mirë ndeshjen.

Kishin epërsi 4:3 pas nëntë minutash lojë.  Prej minutës së 22-të nisi shkëputja e finlandeze në rezultat. Kosova u afrua në dy gola tetë minuta para fundit. Por pa arritur të barazojë apo të kalojë në epërsi.

Përzgjedhësi i Kosovës, Agron Shabani, thotë se gabimet teknike u kushtuan me humbje nga Finlanda.

“Gjatë gjithë lojës kemi bërë shumë gabime teknike. Si në sulm, ashtu edhe në mbrojtje nuk erdhëm te ritmi i lojës. Patëm gabime, kundërshtari i shfrytëzoi ato gabime. Momentalisht jemi në këtë situatë, shpresojmë për lojën e ardhshme të bëjmë një ndryshim në aspektin e lojës dhe të arrijmë rezultat pozitiv”, ka thënë Shabani për Federatën e Hendbollit të Kosovës. 

Portierja e Kosovës, Aurora Kryeziu, kritikon ndarjen e drejtësisë.

“Finlanda nuk ka qenë më e mirë se ne. Ka qenë ndeshje e mirë. Gjyqtarët nuk kanë qenë me neve. Janë vetëm dy gola në favor të tyre, të dielën luajmë në Kosovë dhe uroj të bëjmë më shumë gola”, është shprehur Kryeziu, që i pati 18 pritje.

Hendbollistja Dafina Mustafa pret fitore ndaj Finlandës në ndeshjen e dytë në Prishtinë. Ajo fton shikuesit për përkrahje. 

“Ka qenë një ndeshje e mirë, luftuam deri në fund, por humbëm me dy gola dallim. Nuk kemi luajtur ashtu siç dimë ne. Luajmë shumë më mirë se kundërshtari, por sot nuk ishte dita jonë dhe besojmë se me përkrahjen e shikuesve të dielën. Ftoj shikuesit të vijnë të luajnë me neve, të na përkrahin për t’i fituar dy pikë në shtëpi”, ka thënë Mustafa.

Më e dalluara te Kosova ishte Merlinda Qorraj me dhjetë gola. Tre gola i pati Elvina Qorraj, kurse nga dy gola realizuan Tina Hetemi, Yllka Shatri dhe Mirjeta Bytyqi.

Me një gol ndeshjen e përfunduan Elisa Mulaj dhe Dafina Mustafa.

Te Finlanda ndeshjen me tetë gola e mbylli Ema Aarnio.

Kosova luajti me shumë lojtare të reja. Shumë prej lojtareve që kanë udhëhequr ngritjen e përfaqësueses në nivel serioz evropian nuk po luajnë më për Kosovën. Leonora Demaj, Marigona Hajdari, Arlinda Hajdari, Fitore Aliu, Albina Rugova nuk po luajnë më. Mirela Gjikokaj vazhdon të luajë, por jo për Kosovën.

Për Kosovën ishte humbja e tretë pas disfatave të thella nga Franca dhe Kroacia në tetor të vitit të kaluar.

Kosova nga Franca humbi 43:12 në udhëtim, kurse nga kroatet në shtëpi pësoi disfatë 32:22.

Ndeshja e dytë ndaj Finlandës është të dielën, më 8 mars, nga ora 17:15 në Prishtinë.

Kosova është e fundit pa pikë. Franca është lidere me gjashtë pikë, kurse Kroacia ka katër pikë. Finlanda është e treta me dy pikë.

Deri në fund të ciklit kualifikues, Kosova i ka edhe tri ndeshje. Pas Finlandës, më 9 prill e pret Francën, kurse ndeshjen e fundit e luan më 12 prill ndaj Kroacisë në udhëtim.

Dy të parët në grup kualifikohen në Evropian. Kualifikohen edhe katër përfaqësueset më të mira te vendit të tretë prej gjashtë grupeve sa janë gjithsej. Përmes vendit të tretë Kosova e kërkon rastin, ndonëse gjasat nuk janë të mëdha.