Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sporte të tjera

Kosova kërkon fitore ndaj Finlandës për ta kaluar në tabelë

Kosova

Ndeshja e parë mes Finlandës dhe Kosovës, e zhvilluar të enjten në Vantaa, ka dëshmuar se cilësia e dy përfaqësueseve të hendbollit është e përafërt. Finlanda fitoi me rezultat 23:21, ndërsa te Kosova ndiejnë që paraqitja e mirë nuk u është shpërblyer me pikë.

Por hendbollistet e Kosovës e kanë rastin të përmirësojnë “gabimin” menjëherë të dielën. Nga ora 17:15 në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë e luajnë ndeshjen tjetër me Finlandën.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Ndeshja i takon fazës së dytë dhe të fundit kualifikuese për Euro 2026, përkatësisht xhiros së katërt të fazës grupore.

Kosova është në Grupin 1, ku Franca është e pakonkurrencë, e pas saj Kroacia. Franca e Kroacia thuajse e kanë siguruar kualifikimin në Evropian. Dy të parët në grup kualifikohen, njëjtë si katër përfaqësueset më të mira prej gjashtë grupeve sa janë gjithsej.

Për ta kaluar Finlandën në fund në tabelë, Kosovës i duhet të fitojë të dielën me tri e më shumë gola dallim.

Gjasat që Kosova e Finlanda të shënojnë fitore ndaj Francës e Kroacisë në dy xhirot e fundit, në prill, nuk vlerësohen të mëdha. Kështu, ndeshja e së dielës do të jetë vendimtare për vendin e tretë në grup.

“Ekipi ynë mbetet i fokusuar dhe i motivuar për ndeshjen kthyese. Kemi analizuar gabimet që kemi bërë dhe jemi të vendosur të reagojmë me më shumë energji, disiplinë dhe luftë në fushë. Humbjet janë pjesë e sportit, por ato na motivojnë të punojmë edhe më shumë dhe të tregojmë karakter. Besojmë në potencialin tonë dhe do ta japim maksimumin në ndeshjen e së dielës”, ka thënë selektori i Kosovës, Agron Shabani.

Te Kosova presin përkrahjen e shikuesve. Thonë se në ndeshjen e dy ekipeve me cilësi të barabartë, përkrahja nga tribunat mund të jetë vendimtare. Në fakt Kosova kishte përkrahje edhe në Finlandë, nga bashkëatdhetarë të shumtë që jetojnë në atë vend.

“Ftojmë të gjithë tifozët dhe sportdashësit që të jenë pranë nesh dhe të na përkrahin nga tribunat. Mbështetja e tyre është forcë shtesë për ekipin”, ka theksuar Shabani.

Në sportet ekipore, Kosova ende nuk është kualifikuar në ndonjë ngjarje të madhe, Evropian apo Botëror, me përfaqësueset e të rriturve.