Hendbollistet e Kosovës ishin të pafuqishme ndaj fuqisë botërore në hendboll, Francës. Rezultati i thellë, në të mirë të Francës, pritej. Ashtu edhe ndodhi. Kosova u mposht me rezultatin 44:17, në ndeshjen e parafundit kualifikuese për Evropianin që nga 3 deri më 20 dhjetor, organizohet në Poloni, Rumani, Çeki, Sllovaki dhe Turqi.
Kosova nuk ka gjasa për kualifikim tutje. Të enjten mbrëma në Pallatin e Rinisë dhe Sportit e pësoi edhe humbjen e pestë në Grupin 1. Pikërisht ndaj Francës me humbje 43:12 e kishte nisur ciklin kualifikues për “Euro 2026”. Më pas kishte pësuar humbje 32:22 në Prishtinë nga Kroacia. Në ndeshjen e tretë me Finlandën pësoi 23:21 në udhëtim, ndërsa në kuadër të xhiros së katërt, me dy gola dallim humbi edhe në Prishtinë nga Finlanda, 29:27.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoFranca është superfuqi e hendbollit dhe e ka regjistruar edhe fitoren e pestë në kualifikime, duke e siguruar paraqitjen në Evropian. Franca është fituese e medaljes së bronztë në Botërorin e fundit, ndërsa ka edhe shumë medalje tjera, duke përfshirë të arta, në Lojërat Olimpike, Kampionate Botërore dhe Kampionate Evropiane.
Dhe dallimi në cilësi ishte i dukshëm. Pjesën e parë, francezet e fituan me rezultatin 21:10. Më pas vetëm e kontrolluan lojën për fitoren e radhës.
Te Kosova u dallua Vanesa Kastrati me gjashtë gola. Tri gola i pati Arona Krasniqi, ndërsa Tina Hetemi dy. Nga një gol shënuan Yllka Shatri, Mirjeta Dinolli, Ariona Dushica, Lorena Matarova, Alma Nivokazi dhe Angjelina Krasniqi.
Te Franca e pandalshme ishte Emma Jacques që shënoi gjashtë gola nga po aq tentime. Pesë gola në pesë gjuajtje i pati Manon Errard.
Kosova kishte shumë mungesa në ndeshjen e së enjtes. I munguan plot 11 lojtare që luajtën në ndeshjet ndaj Finlandës. Disa prej tyre munguan shkaku i lëndimeve e disa kishin obligime në vend të punës dhe shkollim. Në përfaqësuese u ftuan shumë hendbollistë të reja, kryesisht të klubeve nga vendi.
Ndeshjen e fundit të këtij cikli kualifikues, Kosova e zhvillon të dielën nga ora 18:00 në Zagreb ndaj Kroacisë.