Sport

Kosova përgatitet për fitore ndaj Zvicrës

Rreth 200 të pranishëm ishin në stërvitjen e hapur të përfaqësueses së Kosovës, të mërkurën. Dukshëm më pak se që është pritur nga Federata e Futbollit e Kosovës. Interesimi për ndeshjen e ardhshme të Kosovës megjithatë është shumë i madh.

Pas stërvitjes së mbajtur të enjten, futbollistët e Kosovës kanë bërë thirrje për mbështetje maksimale. Mbështetjen nga tribunat, Fidan Aliti dhe Florent Hadërgjonaj e shohin si armë të fortë për ta mposhtur Zvicrën. Aliti dhe Hadërgjonaj janë të lindur në Zvicër. Hadërgjonaj ka luajtur një ndeshje me helvetikët.

Ndeshja Kosovë – Zvicër luhet të shtunën në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë dhe nis nga ora 20:45. I takon Grupit I kualifikues për “Euro 2024”.

“Do të jetë emocion i madh të hyjmë në stadium, i cili do të jetë i mbushur plot dhe na bën më të fortë mbështetja e tyre. Do të jetë e vështirë të fitohet ndeshja pa mbështetjen e tyre. Na duhet mbështetja e tyre”, ka thënë Aliti.

Aliti insiston se përballja ndaj helvetikëve do të jetë e vështirë.

“Është emocionues, kam lindur në Zvicër, familja jeton atje. Zvicra është një kombëtare ku me punë dhe disiplinë ka arritur në këtë nivel. E dimë se do të jetë një ndeshje e vështirë, por me tifozët tanë dhe mbështetjen e tyre shpresojmë që tri pikët të mbesin këtu”, është shprehur ai.

Kosova për ndeshjen ndaj Zvicrës është grumbulluar të hënën, ndërsa ka zhvilluar tri seanca stërvitore. Stërvitjen e fundit para ndeshjes do ta ketë të premten pasdite.

“Këto tri ditë kemi punuar shumë taktikisht në përgatitje të lojës me Zvicrën. E dimë rëndësinë e ndeshjes dhe besoj se edhe këto dy ditë para ndeshjes na duhen përgatitje për të qenë të gatshëm për ndeshje”, ka thënë Aliti.

Ndeshja ndaj Zvicrës do të jetë e veçantë edhe për Florent Hadërgjonajn. Ai ka ndarë fushën me yjet e Zvicrës, Granit Xhakën dhe Xherdan Shaqirin. Zvicra ka ftuar edhe Uran Bislimin dhe Ardon Jasharin për ndeshjet e këtij muaji. Bislimi ka luajtur dy ndeshje për Kosovën para se t’i bashkohej Zvicrës.

“Edhe po të luanim në Zvicër stadiumi do të ishte i mbushur me shikues tanë. Ndeshja këtu do të jetë diçka më speciale. Edhe për zviceranët do të jetë e veçantë, ashtu si edhe për ne. Do ta japim maksimumin dhe duhet të luajmë me zemër në fushë për t’i shpërblyer me fitore tifozët.

Ai pranon faktin se ndeshja ndaj Zvicrës do të jetë krejtësisht ndryshe prej miqësores së zhvilluar në Zuerich. Insiston se Zvicra do t’i kërkojë pikët e plota në Prishtinë.

“Besoj se Zvicra do të vijë për tri pikë. Kanë pikë mungesë dhe nuk do të vijnë të na falin pikë apo të luajnë ndeshje vëllazërore. Do të vijnë për të fituar, pasi ashtu edhe e kanë mentalitetin. Na duhet mbështetje e madhe për të na motivuar, pasi luajmë këtu në ‘Fadil Vokrri’”, thotë mbrojtësi i krahut të djathtë.

Hadërgjonaj thotë se Kosova do të jetë gati për t’i bërë ballë Zvicrës.

“Kanë qenë tri ditë shumë intensive. Kemi punuar në anën taktike për ndeshjen kundër Zvicrës. Duhet të jemi të bashkuar, pasi e dimë se do të jetë një ndeshje e vështirë ndaj Zvicrës. Besoj se ekipi do të jetë gati për ndeshjen ndaj Zvicrës. Kemi ushtruar shumë fort dhe synimi është t’i kthejmë rezultatet pozitive për të kthyer përkrahjen edhe më të madhe të tyre. Pasi së fundi ka qenë një kohë e vështirë ku na kanë munguar rezultatet, por tash e kemi rastin kundër një kundërshtari të fortë në shtëpi të kthejmë pozitivitetin”, ka thënë Hadërgjonaj.

Zvicra në Kosovë do të mbërrijë të premten pasdite, por nuk do të mbajë stërvitje në Prishtinë.

Në konferencë për media do të paraqiten selektori Murat Yakin dhe kapiteni Granit Xhaka.

Për ta përcjellë këtë ndeshje interesimi ka qenë i jashtëzakonshëm nga mediat e huaja dhe vendore. Rreth 100 gazetarë do të raportojnë në forma të ndryshme nga stadiumi.