Përfaqësuesja e Kosovës ka vazhduar me stërvitjet para përballjes me Zvicrën në kuadër të kualifikimeve për “Euro 2024”. Në seancën e mbajtur të enjten në mesditë, në kampin nacional në Hajvali, selektori Primozh Gliha ka provuar skema të ndryshme të lojës. Për Kosovën, kjo është dita e tretë e përgatitjeve para ndeshjes së fortë me zviceranët. Krahas këtyre skemave, Gliha ka punuar edhe në aspektin taktik, si dhe vendosjen sa më të mirë të ekipit në fushë. Dueli mes Kosovës dhe Zvicrës, zhvillohet të shtunën mbrëma në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë dhe i takon Grupit I kualifikues. Futbollistët kanë punuar me intensitet, ndërsa edhe atsmofera brenda ekipit ishte e mirë edhe optimiste. Në fakt, optimizmi te Kosova po rritet dita ditës për ta ndalur Zvicrën në Prishtinë. Mbrojtësi Fidan Aliti ka folur rreth përgatitjeve dhe pritjeve që i ka për ndeshjen ndaj “helvetikëve”. Aliti ka thënë se Kosova mund të marrë një rezultat pozitiv edhe përball një kundërshtari të fortë, siç është Zvicra. Po ashtu, ai ka thënë se është e rëndësishme që të kthehen te rezultatet pozitive pas humbjes që e pësuan nga Bjellorusia. Ai llogarit edhe në përkrahjen e fuqishme të tifozëve për një rezultat të favorshëm. Aliti pranon se nuk do të jetë aspak lehtë.
“Këto tre ditë kemi punuar shumë taktikisht në përgatitje të lojës me Zvicrën. E dimë rëndësinë e ndeshjes dhe besoj se edhe këto dy ditë para ndeshjes na duhen përgatitje për të qenë të gatshëm për ndeshje”, ka thënë Aliti, i cili ka pranuar se përballja me Zvicrën do të jetë emocionuese për të. “Është emocionuese sepse kam lindur në Zvicër, familja jeton atje. Zvicra është një shtet dhe një kombëtare, ku me punë dhe disiplinë ka arritur në këtë nivel. E dimë se do të jetë një ndeshje e vështirë, por me tifozët tanë dhe mbështetjen e tyre shpresojmë që tri pikët të mbesin këtu. Do të jetë emocion i madh të hyjmë në stadium, i cili do të jetë i mbushur përplot me tifozë dhe mbështetja e tyre na bën më të fortë. Do të jetë e vështirë të fitohet ndeshja pa mbështetjen e tifozëve ‘Dardanët’. Na duhet mbështetja e tyre”.
Optimizmin e tij për këtë ndeshje kualifikuese, e ka shprehur edhe mbrojtësi i krahut, Florent Hadërgjonaj. Megjithatë, Hadërgjonaj ka paralajmëruar se Zvicra do të vijë në Prishtinë për fitore dhe Kosova nuk duhet të dorëzohet për asnjë moment, por të luftojë deri në fund për të siguruar një rezultat të favorshëm. Ai ka thënë se tri ditët e përgatitjeve ishin shumë intensive dhe të gjithë futbollistët janë gati për ndeshjen me Zvicrën. Hadërgjonaj ka thënë se ndeshja në Prishtinë do të jetë speciale si për Kosovën ashtu edhe Zvicrën. Sipas tij, synimi i Kosovës është të rikthehet te rezultatet pozitive pikërisht në këtë ndeshje.
“Kanë qenë tri ditë shumë intensive. Kemi punuar në anën taktike për ndeshjen kundër Zvicrës. Duhet të jemi të bashkuar, pasi e dimë se do të jetë një ndeshje e vështirë. Besoj se ekipi do të jetë gati për këtë përballje. Zvicra do të vij për tre pikë. Kanë mungesë të pikëve dhe nuk do të vijnë të na falin pikë apo të luajnë ndeshje vëllazërore. Do të vijnë për të fituar, pasi ashtu edhe e kanë mentalitetin. Na duhet mbështetje e madhe për të na motivuar, pasi luajmë këtu në ‘Fadil Vokrri’. Edhe po të luanim në Zvicër, stadiumi do të ishte i mbushur me shikuesit tanë”, tha Hadërgjonaj. “Por ndeshja këtu do të jetë diçka më speciale. Edhe për zviceranët do të jetë e veçantë, ashtu si edhe për ne. Kur luajmë në shtëpi e japim maksimumin. Tifozët mbrapa na japin zemër dhe besoj se edhe në fushë duhet të luajmë me zemër, në mënyrë që edhe tifozëve t’u japim energji për të na përkrahur më shumë. Kemi ushtruar shumë fort dhe synimi është t’i kthejmë rezultatet pozitive për të kthyer përkrahjen edhe më të madhe të tyre. Pasi së fundi ka qenë një kohë e vështirë ku na kanë munguar rezultatet, por tash e kemi rastin kundër një kundërshtari të fortë në shtëpi të kthejmë pozitivitetin”.
Pas tri ndeshjeve të zhvilluara në këtë cikël kualifikues, Kosova ka tubuar tri pikë pas katër ndeshjeve të luajtura. Ndërkohë, Zvicra i prinë Grupit I me 10 pikë të mbledhura.