Ndeshjen me Zvicrën selektori i Kosovës, Primozh Gliha, e ka vlerësuar si tejet të vështirë. Por, ai ka insistuar se “Dardanët” do të dalin në fushë për rezultat pozitiv.
Gliha ka theksuar se tashmë i ka paralajmëruar futbollistët që të jenë shumë inteligjentë nëse duan të dalin të pamposhtur nga stadiumi “St. Jakob-Park” i Baselit. Ndeshja mes Zvicrës dhe Kosovës zhvillohet të shtunën prej orës 20:45 dhe i takon Grupit I të kualifikimeve për “Euro 2024”.
Në konferencën për shtyp të mbajtur të premten mbrëma, Gliha ka thënë se janë përgatitur për ndeshje. Ai e ka parasysh se Zvicra është ekip i fortë, por shpreson në një paraqitje të mirë të Kosovës.
“Dardanët” në këtë ndeshje futen pas fitores 1:0 ndaj Izraelit në Prishtinë të dielën, kundërshtar që barazoi 1:1 me Zvicrën të mërkurën në Hungari.
Zvicra i prin grupit me 16 pikë, sa i ka edhe Rumania, ndërsa fitorja ndaj Kosovës do t’ia siguronte kualifikimin në Evropianin e vitit të ardhshëm, një xhiro pa u mbyllur cikli eliminator. Ndërkohë Kosova është e katërta me 10 pikë të mbledhura pas tetë ndeshjeve të zhvilluara. Dueli i parë ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës, i luajtur në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, pati përfunduar pa fitues, 2:2.
Edhe
Slloveni i Cërvena Zvezdës pret fitore në Prishtinë
“Do të jetë një ndeshje e vështirë. Edhe pse në Prishtinë luajtëm baras, ishte një ndeshje shumë e fortë. Ne e mposhtëm Izraelin, por izraelitët treguan se janë të fortë pasi barazuan me Zvicrën”, ka thënë Gliha.
Sipas tij, presion nuk do të ketë vetëm Zvicra por edhe Kosova, pasi pritet të ketë përkrahje të madhe nga tribunat.
“Presioni do të jetë shumë i madh pasi do të kemi përkrahje të madhe të publikut. Nëse duam të arrijmë rezultat pozitiv, duhet të jemi shumë inteligjentë dhe të dimë si të luajmë, sepse kemi të bëjmë me një kundërshtar shumë të fortë”, pranoi Gliha.
Edhe pse Zvicra nuk është në seri të mirë në ndeshjet e fundit kualifikuese, Gliha paralajmëroi për rrezikun që mund t’i kanoset Kosovës nga “helvetikët”. Në pesë ndeshjet e fundit Zvicra ka një fitore karshi katër barazimeve dhe, sipas Glihas, zviceranët ka gjasa të reflektojnë pikërisht ndaj Kosovës.
“Kur ka situata si kjo te Zvicra është shumë rrezik, sepse ekipi bëhet edhe më i fortë dhe pritet të reagojë. Pra, do të jetë tepër vështirë”, shtoi Gliha.
Edhe
“Dardanët” përmbyllin përgatitjet në vend
Përkundër që Kosovës ende nuk i janë shuar përfundimisht shpresat për kualifikim në “Euro 2024”, Gliha tha se synimi është vendi i tretë në grup. Fokusi i tij është vetëm te ndeshja me Zvicrën.
“Duhet të kemi parasysh situatën sepse kur kam ardhur ishim në situatë shumë të vështirë, por duhet të falënderojmë lojtarët për ata që kanë bërë pasi kemi fituar disa pikë të rëndësishme. Ndërsa, tani jemi në një situatë ku kemi pak gjasa dhe mbase duhet ta synojmë vendin e tretë. Por, kjo nuk ndryshon asgjë pasi jam shumë i fokusuar te ndeshja me Zvicrën sikurse ndaj çdo kundërshtari tjetër”, u shpreh Gliha.
Për dallim prej Glihës, mbrojtësi i Kosovës, Florent Hadërgjonaj, shpreson në fitore ndaj Zvicrës. Sipas tij, ky triumf do të ishte i madh pasi do t’i gëzonin të gjithë kosovarët, në veçanti ata që do të jenë në tribunat e stadiumit për t’i përkrahur “Dardanët”.
Hadërgjonaj, i cili ka lindur dhe është rritur në Zvicër, pranoi se kjo përballje do të jetë speciale dhe se nuk do ta harrojë kurrë.
Edhe
Ndaj Zvicrës në skenë tjetër, me synim të njëjtë
“Për mua është ndeshje speciale, pasi kam lindur dhe jam rritur këtu. Nuk do ta harroj gjatë tërë jetës sime pasi do të kem shumë familjarë në tribuna. Nuk do të jetë një situatë e tillë vetëm për mua, por edhe për shumë bashkëlojtarë. Me padurim presim ndeshjen, pasi në stadium do të kemi përkrahje të madhe dhe shpresoj që me një paraqitje të mirë do ta gëzojmë popullin kosovar dhe të gjithë ata në stadium me një fitore”, është shprehur Hadërgjonaj.
Edhe Hadërgjonaj tha se sikurse Xherdan Shaqiri, ka pasur kërkesa të shumta nga të afërmit për t’ua siguruar një biletë për këtë ndeshje. Pranoi se nuk ishte lehtë për të, por në fund ka arritur t’ua sigurojë ato. Me bindje të plotë, Hadërgjonaj tha se sikur stadiumi të kishte mbi 100 mijë ulëse, do të stërmbushej për këtë takim.