Futboll

“Dardanët” përmbyllin përgatitjet në vend

Stërvitja e Kosovës

Përfaqësuesja e Kosovës në futboll e ka zhvilluar të mërkurën stërvitjen e fundit në vend para nisjes për në Basel. 

Te Kosova janë optimistë për rezultat pozitiv ndaj Zvicrës.

Ndeshja Zvicër – Kosovë luhet të premten nga ora 20:45 në stadiumin “St. Jakob-Park”. Për “helvetikët” dhe “Dardanët” është ndeshja e parë kualifikuese për Kupën e Botës 2026.

Mbrojtësi i krahut, Mërgim Vojvoda, ka thënë se atmosfera është e mirë brenda grupit. Ai pret përkrahje të madhe nga tribunat.

“Atmosfera është shumë e mirë. E dimë se na presin dy ndeshje të vështira. E dimë sa e vështirë është të luash në Zvicër, por e dimë po ashtu se do të kemi shumë përkrahje nga tifozët. Djemtë janë të gjithë të përgatitur dhe stërvitjet po shkojnë shumë mirë dhe po bëhemi gati të shkojmë atje të marrim 3 pikë. Qëllimi ynë është të marrim 6 pikë, por sigurisht se do të jetë e vështirë pasi të dyja ekipet janë favorite. Por ndonjëherë më mirë është kështu, sepse nuk është presioni te ne por tek ata. Ne po bëhemi gati për të fituar tri pikë si në Zvicër, ashtu edhe në shtëpi kundër Suedisë dhe shpresoj se ashtu do të jetë”, tha Vojvoda.

Për atmosferën e mirë ka shkruar edhe Federata e Futbollit e Kosovës. Përzgjedhësi Franco Foda të mërkurën ka punuar “në detaje taktike, duke u fokusuar në organizimin ofensiv dhe mbrojtës, në ndërprerje dhe në reagimin e ekipit gjatë tranzicioneve të lojës”.

Edhe mesfushori Muharrem Jashari është optimist se Kosova mund të kthehet me rezultat pozitiv nga Baseli.

“Jemi përgatitur maksimalisht për ndeshjen me Zvicrën. Atmosfera është e mirë dhe presim një rezultat pozitiv, pasi e kemi analizuar kundërshtarin në pikat e forta dhe të dobëta. Normalisht se në Zvicër na pret një përkrahje shumë e madhe dhe shpresoj ta bëjmë më të mirën, të nxjerrim rezultat pozitiv dhe tifozët të jenë të kënaqur me paraqitjen tonë”, theksoi Jashari.

Futbollistët e Kosovës do të udhëtojnë të enjten drejt Baselit. Në tokën helvetike do ta zhvillojnë edhe stërvitjen e fundit para ndeshjes.

Me Zvicrën, Kosova është përballur tri herë deri tash. Asnjëra nga ndeshjet nuk kanë dhënë fitues.