Sport

Gliha vlerëson se Kosova është rritur nën drejtimin e tij

Selektori i Kosovës, Primozh Gliha, nuk po mendon për të ardhmen e tij te “Dardanët”. Gjithë fokusin thotë se e ka te përballja me Përfaqësuesen e Bjellorusisë.

Por, nëse mbetet selektor i Kosovës edhe pas këtij cikli kualifikues, Gliha tha se nuk do të ndryshonte asgjë. Slloveni Gliha foli të hënën në konferencë për shtyp, një ditë para ndeshjes me Bjellorusinë.

Dueli mes Kosovës dhe Bjellorusisë zhvillohet të martën prej orës 20:45 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Është kjo ndeshja e fundit e ciklit eliminator të “Euro 2024”. Kosova nuk është kualifikuar në Evropian. Kosova renditet e katërta me 11 pikë në Grupin I. Ka dy pikë më shumë se Bjellorusia që zë vendin e parafundit, përkatësisht të pestë.

“Nuk e di dhe as që po mendoj për këtë, po mendoj për ndeshjen me Bjellorusinë, kaq. Nuk mendoj për këto gjëra sepse kemi ndeshje dhe gjithë fokusi im është në këtë ndeshje. Nuk do të ndryshoja asgjë, është e rëndësishme vetëm të zbatohen rregullat, pasi për mua luan gjithmonë më i miri dhe jo emrat. Ka rëndësi cilësia e futbollistëve dhe këtë e kemi dëshmuar”, ka thënë Gliha në konferencë për shtyp.

Gliha ka shtuar se prejse është në krye të “Dardanëve”, asnjëherë nuk ka pasur dyshime për grumbullimin e lojtarëve nga Superliga. Ka thënë se nën drejtimin e tij të gjithë lojtarët kanë luajtur mirë dhe se rezultatet janë të mira. Në tri ndeshjet e fundit Kosova ka marrë dy fitore dhe një barazim.

“Në fakt asnjëherë nuk kam pasur dyshime për cilësinë e futbollistëve të Superligës, por është e qartë që ritmi i lojës nuk ka qenë i kënaqshëm në ligën tonë. Por, ne kemi zgjedhur lojtarët që kanë mundur të përballojnë ritmin më të lartë dhe ata e kanë dëshmuar këtë në ndeshjet e fundit”, është shprehur Gliha. “Unë mendoj se lojtarët kanë luajtur mirë dhe kemi marrë rezultate të mira prejse jam në krye të Kosovës. Nuk është keq që kemi barazuar dy herë me Zvicrën, kemi mposhtur Izraelin e Andorrën, ndërsa më herët nuk kishte as fitore ndaj Andorrës. Kështu që kemi bërë mirë gjatë kësaj periudhe”.

Tekniku slloven ka thënë se nuk ka aspak presion por ka kënaqësi si selektor i Kosovës, pasi gjithmonë ndihet mirë duke e drejtuar ekipin. Ka thënë se asnjëherë nuk është ankuar kur ka pasur mungesa të rëndësishme, por gjithmonë është munduar të gjejë zgjidhje. Sipas tij, kombinimi i lojtarëve të vjetër me ata të rinjtë është shumë i mirë dhe kjo është gjëja më e rëndësishme.

Selektori i Kosovës pak foli për ndeshjen e të martës mbrëma. Ndeshjen me Bjellorusinë Gliha e ka vlerësuar si tejet të vështirë. Ka thënë se Bjellorusia ka ekip të mirë dhe ka shtuar se janë munduar t’i përmirësonin disa gabime të vogla që i kishin në barazimin 1:1 ndaj Zvicrës në Basel, të shtunën.

“Me futbollistët e kemi shikuar ndeshjen ndaj Zvicër, kemi gjetur disa gabime të vogla që nuk duhet t’i bëjmë më pasi vetëm kështu mund të përmirësohemi. Nesër kemi një ndeshje shumë të vështirë, Bjellorusia ka ekip shumë të mirë. Tashmë secili ekip luan futboll të fortë dhe futboll cilësor”.

Përkundër mungesave, Gliha tha se prej lojtarëve që do t’i ketë në dispozicion pret të japin gjithçka nga vetja, pasi synimi është që ky cikël eliminator të mbyllet në mënyrën më të mirë të mundshme.

Mendimin e njëjtë me selektorin Gliha e pati edhe mbrojtësi Fidan Aliti, i cili po ashtu u paraqit në konferencën për shtyp. Aliti insistoi se të gjithë janë të fokusuar te ndeshja me Bjellorusinë. Shtoi se për Kosovën është e rëndësishme është që ta mbyllë ciklin kualifikues në pozitën e katërt në tabelë.

“Herët është të flasim se çka duhet të ndryshojmë dhe çka ka shkuar keq. Edhe pse nuk mund të kualifikohemi, ndeshja me Bjellorusinë është e rëndësishme dhe të gjithë duhet të jemi maksimalisht të fokusuar. Detyra jonë është që të mbajmë pozitën aktuale dhe mos të lejojmë të na tejkalojë Bjellorusia dhe vetëm pastaj të ulemi dhe të mendojmë për të ardhmen”.

Aliti ka shtuar se i është bërë qejfi që lojtarët e rinj e kanë treguar veten te Kosova, duke e shfrytëzuar rastin në mënyrën më të mirë të mundshme. Ai tha se në përshtatjen e tyre të shpejtë në ekip, ka qenë i rëndësishëm edhe komunikimi që e kanë pasur mes vete.

“Më i rëndësishmi është komunikimi që i kemi pasur mes vete dhe mendoj se kemi funksionuar shumë mirë, dhe shpresoj që edhe ndaj Bjellorusisë të tregojmë paraqitje të mirë”, tha Aliti.

Kosova të hënën paradite ka mbajtur seancën e fundit stërvitore para ndeshjes eliminatore me Bjellorusinë. Stërvitja e mbajtur në kampin nacional të FFK-së në Hajvali nuk ka qenë aq e ngarkuar. Futbollistët kanë bërë kryesisht ushtrime të lehta dhe janë stërvitur me top.

Në ndeshjen e parë, të luajtur më 19 qershor në Budapest, Bjellorusia kishte fituar 2:1 ndaj Kosovës. Ajo humbje solli largimin e Alain Giresset. Mbetet të shihet nëse ndeshja e së martës me Bjellorusinë do të jetë e fundit për Glihan si selektor.