Sport

Gliha largohet nga Kosova

Trajnerit slloven, Primozh Gliha, i ka zgjatur katër muaj qëndrimi në krye të Përfaqësueses së Kosovës në futboll.

Federata e Futbollit e Kosovës të mërkurën njoftoi se trajnerit Gliha i ka përfunduar marrëveshja e lidhur më 4 korrik. Nën drejtimin e Glihas, Kosova shënoi dy fitore, ndërsa pati po aq barazime dhe humbje.

Kosova të martën e mbylli me humbje ciklin kualifikues për “Euro 2024”. U mposhtën në Prishtinë nga Bjellorusia me rezultatin 1:0. “Dardanët” përfunduan në vendin e parafundit në Grupin I, pjesë e të cilit ishin edhe Rumania, Zvicra, Izraeli, Bjellorusia dhe Andorra. Nga dhjetë ndeshje, Kosova fitoi 11 pikë, ndërsa pas vetes la vetëm Andorrën me dy pikë. Në Evropian si e para e grupit u kualifikua Rumania, ndërsa Zvicra si e dyta.

Image

Gliha pati zëvendësuar Alaine Giressen e shkarkuar. Tekniku slloven kishte drejtuar Kosovën edhe në dy ndeshje të nëntorit 2021.

“Federata e Futbollit e Kosovës njofton opinionin se me përfundimin e ciklit kualifikues për Kampionatin Evropian 2024 ka përfunduar edhe marrëveshja me trajnerin e deritanishëm Primozh Gliha. FFK-ja e falënderon përzgjedhësin Gliha për punën e tij në krye të ekipit kombëtar në gjashtë ndeshjet kualifikuese të zhvilluara pas shkarkimit të ish-përzgjedhësit, Alain Giresse”, shkruan në njoftimin e FFK-së.

Gliha debutoi në shtator te Kosova me barazim kundër Zvicrës, 2:2. Nën drejtimin e tij, Kosova humbi nga Rumania 2:0, ndërsa muajin e kaluar fitoi kundër Andorrës, 3:0. Këtë muaj përfaqësuesja fitoi ndaj Izraelit 1:0 në Prishtinë, barazoi 1:1 me Zvicrën në Basel, kurse të martën pësoi nga Bjellorusia, 1:0.

Ndonëse rezultatet e Kosovës me Glihan ishin më të mira se me Giressen, slloveni ishte shënjestër e kritikave të shumta për qasjen ndaj lojtarëve e po ashtu edhe deklarimet e tij gjatë intervistave dhe konferencave para dhe pas ndeshjeve.

Gliha nuk ishte i vetmi që u kritikua për rezultatet dëshpëruese të Kosovës. Fajtorë janë vlerësuar edhe kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, drejtori i Përfaqësueses, Muharrem Sahiti dhe menaxheri Bajram Shala.

Federata tashmë ka njoftuar se ka nisur punën për të gjetur zëvendësuesin e Glihas.

“Federata e Futbollit e Kosovës tashmë ka filluar analizimin e thellë të situatës aktuale në ekipin kombëtar A dhe pas kësaj analize do të merren masat adekuate dhe veprimet e ardhshme, përfshirë edhe angazhimin e përzgjedhësit të ri që do t’i prijë ekipit kombëtar”.

Para Glihas, “Dardanët” i kanë drejtuar Albert Bunjaki, Bernard Challandes dhe Alaine Giresse. Bëhet fjalë për periudhën pas pranimit ndërkombëtar.

Rezultatet më të mira janë arritur nën drejtimin e zviceranit Challandes.