Sport

Gliha është optimist për suksese të Kosovës

Kryetari i FFK-së, Agim Ademi të martën ka takuar përzgjedhësin e ri të Kosovës, sllovenin Primozh Gliha.

Sipas njoftimit të FFK-së, Gliha do të jetë i pranishëm në ndeshjet e skuadrave kosovare në kupa evropiane, e po ashtu do ta vizitojë kampin nacional të FFK-së, ku përfaqësueset e reja po zhvillojnë aktivitete.

“Bashkërisht me ekipin e trajnerëve kombëtares në përbërje të Afrim Tovërlanit, Arbnor Morinës, Ahmet Beselicës dhe Thomas Richards do të analizojnë me kujdes situatën në të cilën ndodhet Kombëtarja e Kosovës dhe do të shqyrtojnë mundësitë për të arritur objektivat e FFK-së”, thuhet në njoftim.

Përzgjedhësi Gliha ka premtuar përkushtim maksimal që Kosova të kthehet në rrugën e fitoreve dhe të arrijë rezultate sa më pozitive.

“Ndonëse është shumë e vështirë arritja e objektivit, sipas Glihas, rrugëtimi ende nuk ka përfunduar. Ai e konsideroi përparësi angazhimin disavjeçar në pozicione të ndryshme në futbollin e Kosovës, teksa e vlerësoi përzgjedhjen e ndihmësve të tij. Gliha njëherësh ka kërkuar nga të gjithë futbollistët që ta respektojnë maksimalisht fanellën e Kombëtares së Kosovës dhe ta japin maksimumin”, thuhet tutje në njoftimin e Federatës së Futbollit.

Gliha do të debutojë si trajner i përhershëm i Kosovës në shtator.