Në shkurt të vitit 2021 ishte mësuar që Primozh Gliha do të bashkohej me shtabin teknik të Kosovës. Pozita e tij nuk ishte e qartë fillimisht. Federata e Futbollit e Kosovës nuk jepte detaje. Më pas u kuptua se Gliha ishte një lloj koordinatori derisa përzgjedhës ishte Bernard Challandes. Ndërkohë Challandes u largua nga Kosova, dhe slloveni Gliha mori besimin për ta drejtuar Kosovën në dy ndeshje të nëntorit 2021. Sërish nuk u bë plotësisht e qartë nëse ai ishte selektor apo selektor i përkohshëm. Me Glihën në stol, Kosova pësoi 2:0 nga Jordania më 10 nëntor të vitit 2021, në miqësoren në Prishtinë. Më pas më 14 nëntor në ndeshjen e fundit kualifikuese për Botërorin 2022, Kosova barazoi 1:1 me Greqinë në Athinë.
Në fillim të vitit 2022, Alain Giresse mori drejtimin e Kosovës dhe Gliha disi u harrua. Por ai ka njoftuar se marrëdhënia e punës me FFK-në nuk i është ndërprerë. Gliha ka thënë për KOHËN se ka tre vjet që është punëtor i FFK-së. Nuk është e qartë pozita që ka mbajtur deri më tani, ndonëse slloveni tha se ishte “profesionale”.
Prej së martës, Gliha është përzgjedhës i Kosovës. Shef i shtabit teknik të përfaqësueses, ashtu siç e ka shkruar FFK-ja. Ai do të ndihmohet nga Afrim Tovërlani, Arbnor Morina, Ahmet Beselica dhe Thomas Richards. Të gjithë këta janë të angazhuar po ashtu në FFK.
Pra Federata ka vendosur të angazhojë “njerëz të shtëpisë”. Trajnerë të brendshëm, siç e ka specifikuar FFK-ja.
Nuk është bërë e ditur nëse kjo zgjidhje është bërë për të kursyer, apo për mungesë të opsioneve. Apo nëse ndikim në vendimin e Komitetit Ekzekutiv të FFK-së kishte takimi i fundit i kryetarit Agim Ademi me presidentin e UEFA-s, Aleksander Çeferin. Çeferin po ashtu është nga Sllovenia.
Është shpresuar nga tifozët që FFK-ja do të angazhojë ndonjë trajner të madh. Janë përmendur emra të ndryshëm, por nuk është njoftuar për negociata apo takime. Është përmendur edhe legjenda boshnjake Vahid Halilhoxhiq. Por “Vaha” mbetet shumë i largët. Ai vlerësohet se merr pagë vjetore milionëshe kur drejton përfaqësuese. Buxheti i FFK-së nuk mund ta përballojë këtë.
Janë përmendur edhe emra të tjerë të mëdhenj, por vetëm në qarqe shumë të afërta me FFK-në është tërhequr vërejtja për Glihan. Një trajner i afërt me Federatën dhe për më tepër pjesë e Federatës. Dhe në pritje të rastit po ashtu.
Gliha dhe ndihmësit e tij kanë kohë të mjaftueshme për të analizuar gjendjen në përfaqësuese. Ajo duket larg prej asaj që synohet. Kosova së fundi ka humbur nga Bjellorusia, ndërsa kishte barazuar me Rumaninë, Andorrën dhe Izraelin. Kualifikimi në “Euro 2024” tashmë duket ëndërr e largët. Ndeshjen e ardhshme përfaqësuesja e luan më 9 shtator. E pret në Prishtinë përfaqësuesen e Zvicrës.
Është ndeshje e veçantë ajo, dhe jo vetëm për Glihën. Te Zvicra lojtarët kryesorë janë nga Kosova. Kështu që ndeshja pritet të jetë e veçantë. Më pas Kosova e luan në udhëtim ndeshjen e vështirë ndaj Rumanisë, më 12 shtator. Dy ndeshje janë në tetor e dy të tjera në nëntor. Me kaq përfundon cikli eliminator për “Euro 2024”. Ka mjaftueshëm ndeshje që Gliha të aplikojë sistemin e tij, idetë e tija. Nëse në vitin 2021 nuk kishte kohë të mjaftueshme, tani pritet të ketë.
“Më së vështiri është ndryshimi i mentalitetit”, ka thënë Gliha për KOHËN. Ai ka përmendur edhe humbjen e vetëbesimit nga lojtarët e Kosovës për shkak të rezultateve jo të mira në dy vjetët e fundit.
Ka thënë se lojtarët duhet të vdesin në fushë kur të luajnë për përfaqësuese. Por ka refuzuar të thotë se është përzgjedhës. Ka thënë se fillimisht duhet të takohet me drejtuesit e federatës për të mësuar nëse i janë besuar detyra të reja. Ka lënë të kuptohet se Kosova i është besuar pa bisedë paraprake me të.
Asgjë e pazakontë kjo. FFK-ja funksionon shpesh në këtë mënyrë. Gliha ka ardhur në këtë mënyrë, pa shumë detaje e qartësi.