Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Batatina: Do të vijë koha që Kosovën ta bëj krenare sikur Llapin

Tahir Batatina

Trajneri i Llapit, Tahir Batatina, nuk është pajtuar aspak me emërimin e sllovenit, Primozh Gliha në krye të Përfaqësueses së Kosovës.

Gliha, të martën është konfirmuar selektor i Kosovës pas largimit të francezit Alain Giresse.

Batatina, i cili më herët kishte shprehur haptazi synimin e tij për t’u emëruar përzgjedhës i Kosovës, ka insistuar se angazhimi i Glihas është një gabim shumë i madh nga ana e Federatës së Futbollit të Kosovës.

Në një prononcim për KOHËN, Batatina ka thënë se këtë herë është dashur t’i besohet një trajneri shqiptar një detyrë e tillë. Madje, ai e ka quajtur Glihan si ndihmës të dështuar.

Slloveni ishte pjesë e stafit të Bernard Challandesit, ndërsa pas largimit të zviceranit, e drejtoi Kosovën në dy ndeshje, ku pësoi në miqësoren nga Jordania dhe barazoi me Greqinë.

Megjithatë, trajneri i Llapit ka thënë se do të vijë koha kur ai do ta bëjë krenar shtetin, ashtu sikurse bëri, siç thotë Batatina, me klubin nga Podujeva.

Edhe Batatina: Çka duhet të bëj më shumë që të jem në krye të Kosovës Sport Batatina: Çka duhet të bëj më shumë që të jem në krye të Kosovës

“Nëse kanë menduar ta angazhojnë për këto ndeshjet e mbetura është prapë gabim, sepse është dashur të vijë një selektor që ta kompononte ekipin për kualifikimet e ardhshme. Pasi kanë vendosur me qenë ky ndihmës i dështuar me ndeshjet e kaluara, ku tashmë kemi humbur Evropianin, atëherë nuk e kuptoj se çfarë kanë dashur me angazhimin e tij apo cili është projekti dhe qëllimi për të ardhmen. Përse të mos jetë një shqiptar dhe deri kur t’iu besojmë të huajve apo jemi mosmirënjohës për atë që kanë dhënë trajnerët tanë për futbollin”, ka thënë Batatina, duke shtuar se po të emërohej selektor i Kosovës, do të aplikonte një lojë bashkëkohore.

“Nuk dua edhe asnjëherë nëse nuk bëhem selektor sepse unë nuk i thyej parimet e mia dhe këtë e dinë shumë mirë sepse here edhe tek unë do të kishte rregull, disiplinë dhe lojë bashkëkohore. Por, do të vijë koha që prapë këtë shtet do ta bëjë krenar me kombëtaren tonë sikurse me Llapin”, ka shtuar ai.