Përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda, të hënën (sot) nis punën përfundimtare për përgatitje të ekipit për ndeshjen e vështirë ndaj Zvicrës.
Zvicra e Kosova përballen të premten nga ora 20:45, në stadiumin “St. Jakob-Park”, në Basel. Për të dy përfaqësueset është ndeshja e parë e kualifikimeve për Kampionatin Botëror të vitit të ardhshëm.
Kosova e Zvicra për herë të parë përballen për “skenën” më të madhe – Kupën e Botës. Por dy përfaqësueset e njohin shumë mirë njëra-tjetrën.
Tashmë janë luajtur tri ndeshje Zvicër – Kosovë. Dhe asnjëra prej tyre nuk ka dhënë fitues.
Fillimisht helvetikët dhe “dardanët” ishin përballur më 29 mars të vitit 2022 në miqësoren në “Letzigrund” të Zurichut. Ndeshja e luajtur para 20 mijë e 800 shikuesve, një pjesë e konsiderueshme e tyre shqiptarë, kishte përfunduar 1:1. Milot Rashica kishte shënuar golin për Kosovën në minutën e 52-të, ndërsa Jordan Lotomba kishte shënuar për Zvicrën në minutën e 61-të. Alain Giresse ishte selektor i Kosovës, ndërsa pos Rashicës prej lojtarëve që nuk janë më në përfaqësuese kishin startuar edhe Mirlind Kryeziu, Zymer Bytyqi Florian Loshaj e Blendi Idrizi. Si zëvendësues kishin luajtur Lirim Kastrati, Betim Fazliji, Ibrahim Dresheviq e Toni Domgjoni.
Njëri prej lojtarëve kryesorë ofensivë të Kosovës, Milot Rashica, nuk do të jetë nën urdhrat e Fodas për ndeshjen e së premtes. Rashica nuk është fare në listë.
Me rezultatin 2:2 kishte përfunduar ndeshja e dytë mes Kosovës dhe Zvicrës, e zhvilluar më 9 shtator 2023 në “Fadil Vokrri”.
Vedat Muriqi i kishte shënuar të dy golat për Kosovën. Remo Freuler kishte realizuar golat për Zvicrën.
Ndeshja ishte kualifikuese për Evropianin 2024.
Primozh Gliha ishte selektor i Kosovës, ndërsa te Kosova prej lojtarëve që nuk janë në këtë grumbullim kishin startuar Rashica, Florian Loshaj, Betim Fazliji e Bernard Berisha.
Edhe në ndeshjen në Prishtinë stadiumi ishte i mbushur me 12 mijë e 700 shikues.
Së fundi dy përfaqësueset u përballën më 18 nëntor 2023, në stadiumin ku luhet ndeshja e së premtes. Ajo ndeshje përfundoi 1:1, ndërsa mblodhi 33 mijë shikues.
Ruben Vargas kaloi Zvicrën në epërsi 1:0, në minutën e 47-të. Për 1:1 shënoi Muhamet Hyseni në minutën e 82-të. Ai mbetet momenti më i mirë në karrierën e Hysenit. Ai ka pësuar rënie të madhe në karrierë dhe të shtunën u kthye te Llapi nga Horsensi danez.
Kosova e drejtuar nga Gliha ishte përballur me mungesa të shumta, por megjithatë mori pikë të vlefshme. Në portë ishte Visar Bekaj, ndërsa para tij luajtën Fidan Aliti, që ishte kapiten, Lumbard Dellova dhe Ilir Krasniqi. Mesfusha përbëhej nga Florent Hadërgjonaj, Qëndrim Zyba, Mërgim Vojvoda e Bernard Berisha. Më të avancuar ishin Zymer Bytyqi e Florent Muslija, ndërsa në sulm u paraqit Elbasan Rashani.
Te Kosova u aktivizuan edhe mbrojtësi Lirim Kastrati, Altin Zeqiri, Meriton Korenica, Muhamet Hyseni e Kreshnik Hajrizi.
Përkundër pikës së madhe në Basel, cikli kualifikues për Evropianin 2024 ishte i pasuksesshëm për Kosovën, njëjtë si ciklet e mëparshme.
Kosova mbeti e parafundit në grup, duke lënë prapa vetëm Andorrën. Në Evropian ishin kualifikuar Rumania e Zvicra. Izraeli ishte i treti e Bjellorusia e katërta.
Ndryshime të tjera u bënë te Kosova ndërkohë dhe përfaqësuesja tani vlerësohet e konsoliduar si asnjëherë më parë. Konkurrenca për secilën pozitë vlerësohet e madhe, ndërsa shpresat e tifozëve janë për fillim të mbarë të kualifikimeve të reja.