Futboll

Rritja e madhe e Kosovës nën drejtimin e Franco Fodas

Franco Foda

Vetëm në vazon e katërt ishte përfaqësuesja e Kosovës në futboll në shortin për eliminatoret e rregullta për Kupën e Botës 2026. Zvicra ishte në vazon e parë, Suedia ishte e dyta në vazon e dytë, ndërsa Sllovenia e dyta në vazon e tretë.

Sipas ndarjes në vazo, që zakonisht paraqet forcën e vërtetë të përfaqësueseve, për vendin e dytë në grup do të duhej të luftonin Suedia e Sllovenia.

Por në fund të kampanjës kualifikuese, Zvicra është e para, Kosova e dyta, Sllovenia e treta dhe Suedia e katërta. Zvicra vetëm në ndeshjen e fundit e siguroi vendin e parë. Ndërkohë Kosova një ndeshje para fundit e siguroi pozitën e dytë, përkatësisht plejofin për kualifikim në Botëror. Sllovenia mbeti plot shtatë pikë prapa Kosovës e Suedia plot nëntë.

Dhe kjo dëshmon rritjen e jashtëzakonshme të Kosovës në muajt e fundit, përkatësisht nën drejtimin e Franco Fodas.

Gjermani Foda e mori drejtimin e përfaqësueses më 17 shkurt të vitit të kaluar. Ai nisi me fitore në miqësore ndaj Armenisë, ndërsa më pas humbi miqësoren nga Hungaria. Pasoi tjetër humbje nga Norvegjia në miqësore dhe ajo 3:0 nga Rumania në nismë të kampanjës në edicionin 2024/2025 në Ligën e Kombeve. Më pas Kosova i shënoi tri fitore rresht, para se ndeshja me Rumaninë të humbej me rezultat zyrtar. Dhe ndeshja e fundit e vitit të kaluar përfundoi me fitore 1:0 ndaj Lituanisë.

Këtë vit Kosova me Fodan në krye të stolit i zhvilloi dhjetë ndeshje. I fitoi shtatë prej tyre, barazoi dy herë dhe pësoi humbjen e vetme, 4:0, nga Zvicra. Me dy fitore ndaj Islandës u sigurua avancimi në Ligën B të Ligës së Kombeve, ndërsa me dy fitoret ndaj Suedisë, fitoren dhe barazimin ndaj Sllovenisë dhe barazimin me Zvicrën, Kosova e siguroi plejofin për kualifikim në Botëror. Është e arritur historike.

“Kur janë caktuar grupet askush nuk ka besuar që do të përfundojmë në këtë pozitë, se do të luajmë kështu. Tregon shumë fakti që e kemi siguruar plejofin një ndeshje para fundit. Unë jam shumë i kënaqur me paraqitjen e ekipit. Jemi zhvilluar tutje, kemi krijuar mundësi të reja. Në përgjithësi jam shumë i kënaqur me ekipin se si është zhvilluar tutje”, ka thënë Franco Foda në konferencën për shtyp pas ndeshjes me Zvicrën.

Kosova e Zvicra barazuan 1:1 të martën mbrëma në “Fadil Vokrri”, në mbyllje të kualifikimeve të rregullta.

Kosova në mars luan ndeshjet e radhës. Fillimisht do të luajë më 26 mars në udhëtim në gjysmëfinale të plejofit për kualifikim në Botëror. Do të përballet me Poloninë, Uellsin, Çekinë apo Sllovakinë.

Shorti tërhiqet të enjten prej orës 13:00.

Në finalen eventuale, Kosova do të përballet me përfaqësueset e vazos së parë apo të katërt. Në vazon e parë janë Italia, Danimarka, Turqia dhe Ukraina. Në vazon e katërt janë Rumania, Suedia, Maqedonia e Veriut dhe Irlanda e Veriut.

Finalet e plejofit janë më 31 mars, ndërsa nikoqirët caktohen me short.

“Tani kemi kohë deri në mars, por kundërshtari mësohet të enjten. Për t’u kualifikuar duhet të mposhtim çdo kundërshtar. Në vazon numër dy kemi kundërshtarë të vështirë. Do të luajmë si mysafirë në gjysmëfinale. Uroj që ekipi të jetë i gatshëm dhe shpresojmë shumë se do të kualifikohemi në Botëror”, ka theksuar Foda.

Kampanjën kualifikuese ai e ka vlerësuar me “katërshe të fortë”, prej pesë sa do të ishte nota maksimale.

Katërshja përfundimisht do të bëhet pesëshe nëse Kosova siguron paraqitjen në Botërorin në SHBA, Meksikë e Kanada.