Futboll

Pse Austria është kundërshtarja më e fortë e Kosovës në Ligën e Kombeve

Austria

Ndonëse në short ishte në vazon e dytë, Austria vlerësohet kundërshtarja më e fortë e Kosovës në edicionin 2026/2027 të Ligës së Kombeve.

Shorti i tërhequr të enjten mbrëma e ka vendosur Kosovën në Grupin 3 të Ligës B së bashku edhe me Izraelin dhe Irlandën.

Për short, Izraeli ishte i fundit në vazon e parë, Austria e parafundit në vazon e dytë, Irlanda e parafundit në vazon e tretë dhe Kosova e fundit në vazon e katërt.

Në bazë të vendosjes nëpër vazo, Grupi 3 nuk është prej të fortëve në Ligën B. 

Por për "Dardanët" është sfidues, për më tepër që garojnë për herë të parë në nivelin e dytë të Ligës së Kombeve të UEFA-s.

Ishte selektori i Kosovës, Franco Foda, që e veçoi Austrinë. Pos që ka drejtuar për shumë vjet Austrinë, Foda është bazuar edhe në shumë fakte të tjera kur e favorizoi këtë përfaqësuese.

Austria e ka fituar grupin në kualifikimet e fundit dhe është pjesë e Botërorit që në verë mbahet në SHBA, Kanada e Meksikë. Kjo dëshmon për cilësinë që ka.

Ishte në grup me përfaqësuese cilësore si Bosnjë-Hercegovina e Rumania, por edhe me Qipron e San Marinon.

Për selektor, austriakët e kanë gjermanin Ralf Rangnick, njërin prej trajnerëve më të vlerësuar në futbollin evropian.

Austriakët janë paraqitur në tre Evropianët e fundit. Madje në Euro 2024 e fituan grupin ku ishin edhe Franca, Holanda dhe Polonia. Në një të tetën e finales austriakët pësuan nga Turqia.

Kosova nuk ka luajtur deri më tani ndaj Austrisë, por Foda e di që dy ndeshjet e vjeshtës do të jenë të vështira.

“Është e qartë që Austria është favorite, por është grup interesant. Qëllimi ynë është të bëjmë gjithçka për të arritur vendin e dytë, sepse është grup i fortë. Duhet të qëndrojmë në këtë nivel, të paktën, dhe të mos biem në Ligën C”, ka thënë Foda.

Gjermani Foda e ka drejtuar Austrinë nga viti 2018 e deri në vitin 2022. Fakti se qëndroi katër vjet dëshmon se bëri punë të mirë.

Austria ka po ashtu lojtarë të shumtë në nivel të lartë evropian. Kapiteni David Alaba është te Real Madridi, ndonëse jo më prej lojtarëve bartës të mbrojtjes. Kevin Danso është te Tottenhami, ndërsa lojtarë të shumtë bëjnë karrierë në Bundesligë, duke përfshirë Marcel Sabitzerin e Borussia Dortmundit, Konrad Laimerin e Bayernit dhe Christoph Baumgartnerin e Leipzigut.

Ndikimi i futbollit gjerman tek Austria është shumë i madh. Në këtë aspekt Austria ka ngjashmëri me Kosovën. Tashmë gati gjysma e lojtarëve bartës të Kosovës janë pjesë e futbollit gjerman.

Derisa Kosova gjithë fokusin aktualisht e ka te plejofi i marsit, Austria është e fokusuar te Kupa e Botës. Në fazën grupore luan me Jordaninë, Argjentinën dhe Algjerinë. 

“Kosova ende ka shanse të kualifikohet në Kupën e Botës, që tashmë është e arritur shumë e madhe. Ndeshjet me Kosovën do të jenë interesante, si në shtëpi ashtu edhe në udhëtim”, ka thënë selektori i Austrisë, Ralf Rangnick.