Përfaqësuesja e Austrisë është favoritja absolute për ta fituar Grupin B3 të Ligës së Kombeve, ku është edhe Kosova.
Kështu ka thënë përzgjedhësi i Kosovës në futboll, Franco Foda, para katër ndeshjeve që zhvillohen brenda një periudhe të shkurtër kohore.
Foda ka folur për mediumin “ORF” të Austrisë.
Tek Austria do të mungojnë emra të rëndësishëm si David Alaba e Marcel Sabitzer.
“Austria është favoritja absolute. Mund të supozoni se do ta zë vendin e parë, përveç nëse ndodh diçka e jashtëzakonshme. Por, pas kësaj çdo gjë është e mundur dhe ky është qëllimi jonë, që të mund ta zëmë vendin e dytë. Por ajo që u zbulua është se nëse përfundon i treti, qëndron në grup dhe besoj se ky duhet të jetë qëllimi ynë”, ka deklaruar Foda.
Foda ka përmendur shumë lojtarë të Austrisë që mund ta bëjnë dallimin, pavarësisht mungesave. Ai ka thënë se lojtarët austriakë janë të nivelit të lartë.
Foda nuk ka folur shumë për kundërshtarët e tjerë të grupit. Ai ka treguar edhe për punën që ka bërë tek Austria sa ishte selektor. Ka treguar se ka qenë afër Austrisë edhe në ngjarje të mëdha.
Foda e udhëhoqi Austrinë për katër vjet, nga 2018 deri më 2022, dhe e ndihmoi të kualifikohej në Kampionatin Evropian.
“Tani situata ka ndryshuar, jam trajneri i Kombëtares së Kosovës dhe natyrisht ky është fokusi im. Ndeshja e parë është e rëndësishme për ne, luajmë në shtëpi kundër Irlandës dhe duhet të paraqitemi mirë. Do të përpiqemi të marrim pikë që në ndeshjen e parë. Kjo do të na jepte besim dhe mezi e presim ndeshjen në Vjenë sepse sigurisht që gjysma e tifozëve do të jenë nga Kosova”, deklaroi Foda.