Futboll

Rezultatin që i duhet Kosovës, Zvicra nuk e njeh për plot 62 vjet

zv

Kur Kosova u mposht 4:0 nga Zvicra në nismë të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026, pak kush mund ta ketë menduar se përfaqësuesja dardane do ta ketë të sigurt plejofin një xhiro para fundit. E edhe më pak mund ta kenë menduar që Kosova të ketë gjasa, ndonëse vetëm matematikore, për kualifikim direkt në Botëror.

Por një xhiro para fundit ende nuk mund të thuhet që Zvicra do të jetë në Botëror e Kosova nuk do të jetë e kualifikuar direkt. Zvicra në fakt është fare pranë, ndërsa Kosova është gati pa gjasa për kualifikim direkt.

Vetëm fitorja 6:0 e Kosovës, të martën nga ora 20:45 në “Fadil Vokrri”, do të bënte që Zvicra të përfundonte e dyta në Grupin B të kualifikimeve, ndërsa Kosova e para. Një xhiro para fundit, Zvicra i ka 13 pikë dhe goldallim +12. Kosova i ka dhjetë pikë dhe goldallim +1.

Edhe sikur Zvicra mos të fitonte 4:0 më 5 shtator në Basel, një humbje e saj me gjashtë gola dallim do të ishte e pamenduar.

“Helvetikët” me këtë rezultat nuk mposhten as nga përfaqësueset më të mëdha të botës. Dhe me këtë diferencë golash nuk janë mposhtur për shumë e shumë dekada. Së fundi Zvicra me gjashtë apo më shumë gola dallim pësoi plot 62 vjet më parë. Bëhet fjalë për miqësoren me Anglinë, që përfundoi 8:1 për anglezët. Ajo ndeshje ishte luajtur më 5 qershor 1963. Ishte luajtur pikërisht në “St. Jakob” të Baselit, ku Kosova pësoi 4:0 nga Zvicra në shtator. Legjenda Bobby Charlton i kishte shënuar tri gola në atë ndeshje për Anglinë.

Në futbollin modern, Zvicra është përfaqësuese shumë stabile. Shënon herë pas here fitore të thella, por nuk pëson gati kurrë me shumë gola dallim.

Përjashtim bën ndeshja e një të tetës së finales në Botërorin 2022 në Katar. Më 6 dhjetor 2022, Portugalia e kishte rrahur Zvicrën, 6:1. Ajo disfatë ishte përjetuar rëndë në Zvicër.

Por kjo përfaqësuese reagoi menjëherë në vitin 2023. Nisi me fitore 5:0 ndaj Bjellorusisë dhe vazhdoi me fitore 3:0 ndaj Izraelit.

Humbje goxha të thellë për standardin e saj, Zvicra pësoi më 8 shtator të vitit të kaluar, 4:1 nga Spanja.  

Në kampanjën aktuale, atë për Botërorin 2026, Zvicra nuk e ka asnjë disfatë. E ka vetëm një barazim, ndërsa të shtunën fitoi 4:1 ndaj Suedisë.

Zvicra ka kohë që nuk mungon në ngjarjet e mëdha të futbollit. Është e njohur edhe për faktin që shfaq nivelin atëherë kur duhet – pos në ngjarje të mëdha edhe në ndeshje kualifikuese.

Rrjedhimisht është e drejtë që Kosova të synojë fitore për ta mbyllur me sukses një kampanjë kualifikuese historike. Por, po ashtu, që përfaqësuesja e drejtuar nga Franco Foda të fillojë të mendojë për ndeshjet e plejofit për kualifikim në Botëror, që zhvillohen në marsin e vitit tjetër.