Kosovës i duhet fitore me gjashtë gola dallim për ta kaluar Zvicrën në renditje dhe për t’u kualifikuar direkt në Botëror.
Një fitore e tillë duket pak e mundshme. Për këtë janë pajtuar edhe në përfaqësuese. Mos-grumbullimi i Albian Hajdarit dhe Leon Avdullahut për ndeshjen që zhvillohet sonte nga ora 20:45 e dëshmon këtë. Hajdari e Avdullahu nuk janë grumbulluar në mënyrë që mos të rrezikohet që me kartonë eventualë të mungojnë në ndeshjen e plejofit.
Por pse pikërisht rezultati 6:0 e ndryshon gjendjen në tabelë?
Zvicra aktualisht i ka 13 pikë. Ka shënuar 13 gola dhe ka pranuar vetëm një. Goldallimin e ka +12.
Kosova i ka 10 pikë. Ka shënuar pesë gola dhe ka pranuar katër, të gjitha në ndeshjen e parë me Zvicrën. Dhe goldallimin e ka +1.
Me fitore eventuale të Kosovës, përfaqësueset do të kenë nga 13 pikë. Me fitore 6:0 të Kosovës, Zvicra do të ketë 13 gola të shënuar dhe shtatë të pranuar. Pra goldallim +6.
Me një skenar të tillë, Kosova do të kishte 11 gola të shënuar e katër të pranuar. Pra goldallim +7. Dhe rrjedhimisht vendin e parë në tabelë. Nëse përfaqësueset kanë pikë të barabarta, klasifikimi vendoset nga goldallimi i përgjithshëm, e jo bilanci në ndeshjet e ndërsjella.
Gjithsesi këto janë vetëm kombinime matematikore.
Kosova do ta synojë fitoren që në plejof të jetë në moment të mirë. Dhe për shumë arsye të tjera. Por jo me idenë që ta sigurojë direkt paraqitjen në Botëror.