Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Kosova llogarit në mbështetje për ta mposhtur Zvicrën

Te Përfaqësuesja e Kosovës llogaritin në përkrahje të madhe nga tribunat e stadiumit “St. Jakob-Park” të Baselit për ta mposhtur Zvicrën të shtunën mbrëma. “Dardanët” do ta zhvillojnë të shtunën në Basel ndeshjen e parafundit kualifikuese për Evropianin që mbahet vitin e ardhshëm në Gjermani. Përballë do ta ketë Zvicrën, që po ashtu synon fitore për ta siguruar pjesëmarrjen në “Euro 2024”. Ndeshja nis në orën 20:45, ndërsa Kosova pritet të ketë përkrahje të madhe nga tribunat, ashtu si në marsin e vitit të kaluar në Zuerich. Ajo ndeshje ishte miqësore dhe pati përfunduar baras, 1:1. Baras 2:2 përfundoi edhe takimi kualifikues në Prishtinë në shtator të këtij viti.

Por mbrojtësi i Kosovës, Ilir Krasniqi, e di se ndeshja në Basel do të jetë shumë e vështirë. Megjithatë, ai thekson se Kosova është e motivuar për t’i marrë pikët e plota në përballjen kundër Zvicrës.

Mbrojtësi i Llapit luajti për herë të parë si titullar për Kosovën në fitoren që e arriti të dielën në stadiumin “Fadil Vokrri” të mbuluar me lloç kundër Izraelit.

“Ishte një ndjenjë fantastike, pasi ishte ndeshja ime e parë nga minuta e parë. Ishte një ndeshje mjaft e vështirë në një fushë të rënduar, por kemi dhënë maksimumin dhe besoj se jemi paraqitur mirë”, ka thënë fillimisht Krasniqi për faqen zyrtare të Federatës së Futbollit të Kosovës”, tha mbrojtësi i Kosovës, Ilir Krasniqi.

Krasniqi foli pas stërvitjes së fundit që Kosova e zhvilloi në Prishtinë. “Dardanët” të premten në mëngjes do të nisen drejt Zvicrës, ku pasdite do ta kenë stërvitjen e fundit para ndeshjes kundër Zvicrës, në kuadër të Grupit I kualifikues.

Edhe Abedini: Fokusi i Kosovës te ndeshjet e plejofit Futboll Abedini: Fokusi i Kosovës te ndeshjet e plejofit

“Stadiumi pritet të jetë pothuajse i mbushur me përkrahës shqiptarë. Na pret një duel shumë i vështirë, pasi dihet niveli të cilin e ka Zvicra, por ne jemi shumë të motivuar, pasi e dimë se në stadium do ta kemi përkrahjen e madhe dhe shpresojmë në pikët maksimale”, është shprehur Krasniqi.

Krasniqi e di se Kosova do ta ketë të vështirë kualifikimin në Evropian. Matematikisht ende ka gjasa, por do të jetë e vështirë. Kosova është e katërta me 10 pikë. Zvicra lidere dhe Rumania kanë nga 16 pikë, derisa me 12 pikë në vendin e tretë është Izraeli. Bjellorusia zë vendin e pestë me gjashtë pikë, kurse Andorra e fundit me dy pikë.

“Matematikisht jemi ende në lojë, por dihet se do të jetë e vështirë. Ne do ta japim maksimumin, pastaj të shohim pas përfundimit të ndeshjes”, ka theksuar ai.

Forcën e Zvicrës e di edhe Alban Ajdini. Ajdini u lind në Gjenevë të Zvicrës, ndërsa ka luajtur dy ndeshje për Kosorën U21. Ai është për herë të parë i grumbulluar me përfaqësuesen A të Kosovës.

“Është një ndjenjë shumë e mirë, unë jam shumë krenar që jam pjesë e Kosovës dhe do ta jap maksimumin për këtë fanellë. Lojtarët më kanë pritur shumë mirë, stafi po ashtu dhe do ta jap maksimumin për këtë fanellë. Kemi bërë një ndeshje shumë të mirë, djemtë kanë qenë të motivuar shumë. Kanë bërë lojë shumë të mirë”, ka thënë Ajdini.

Ajdini që luan si sulmues krahu, është pjesë e skuadrës së Superligës zvicerane, Stade-Lausanne-Ouchy.

Edhe Tifozët e Kosovës arrijnë te stadiumi i Baselit Futboll Tifozët e Kosovës arrijnë te stadiumi i Baselit

“Do të jetë ndeshje e vështirë, pasi do të ketë shumë shikues. Do të jenë të gjithë shqiptarët dhe na pret një sfidë shumë e vështirë”, ka thënë Ajdini.

Kosova ndeshjen e fundit të këtij cikli eliminator e luan më 21 nëntor kundër Bjellorusisë në stadiumin “Fadil Vokrri”.