Përfaqësuesja e Kosovës në hendboll ka barazuar në ndeshjen e dytë të fazës së parë kualifikuese për Botërorin 2023. Të dielën mbrëma në praninë e rreth 400 shikuesve në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë, Kosova barazoi 28:28 me Belgjikën. Në fund, lojtarët e Kosovës kishin sulmet për të shënuar fitore, por nuk i realizuan.
Të mërkurën Kosova kishte pësuar me dy gola dallim në udhëtim nga Turqia dhe pritej fitore ndaj belgëve. Por ndeshja megjithatë u mbyll baras.
Pas pjesës së parë Kosova kishte epërsi prej dy golash, 14:12, por në pjesën e dytë gjërat nuk funksionuan për të përzgjedhurit e Bujar Qerimit.
Ndeshjen më mirë e hapi Belgjika që ishte në epërsi deri në minutën e 15-të. Më pas Kosova nisi shkëputje dhe krijoi epërsi prej tri golash, 10:7.
Në pjesën e dytë u luajt për secilën gol, ndërsa në epërsi të lehtë ishin herë njëra e herë përfaqësuesja tjetër. Pasi Jon Muqolli barazoi rezultatin në 25:25, Deniz Terziqi shënoi dy herë rresht për 26:25 e 27:26. Por belgët barazuan në 27:27 dhe pas shënimit të Kastriot Jupës edhe në 28:28. Aksionet e fundit nuk i realizoi asnjëra palë.
Në lojën e Kosovës ka pasur telashe si në sulm ashtu edhe në mbrojtje dhe synimi nuk u arrit. Më efikasi ishte Drenit Tahirukaj me gjashtë gola. Nga 4 gola i shënuan Deniz Terziqi e Egzon Gjuka.
Edhe
Kosova i mbyll me humbje eliminatoret, nuk avancon tutje
Quinte Colman ishte më efikasi te Belgjika, po ashtu me gjashtë gola.
Në ndeshjen tjetër të grupit të parë të fazës së parë kualifikuese, Greqia fitoi 24:20 ndaj Turqisë. Greqia udhëheq me katër pikë, Turqia i ka dy pikë, ndërsa Belgjika e Kosova e kanë nga një.
Ndeshjen e ardhshme Kosova e luan më 5 janar, kur e pret Greqinë në Prishtinë. Dy vendet e para në grup sigurojnë avancimin tutje.