Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Kampanja e nisur me mund në Prishtinë, përfundon në Tiranë për skuadrën e madhe holandeze

Më 19 maj të vitit të kaluar, Feyenoordi fitoi 2:0 ndaj Sparta Rotterdamit. Më pas më 23 maj fitoi 2:0 ndaj Utrechtit. Kështu e fitoi plejofin e kampionatit holandez për një vend në rundin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës, garës së re të UEFA-s që filloi të luhej në edicionin aktual, 2021/2022.

Nuk dukej ndonjë gjë e madhe kjo para një viti. Pakkush mund të ketë besuar se ekipi i njohur holandez do t’i shkonte deri në fund rrugëtimit në garën e re të UEFA-s, që është niveli i tretë evropian, pas Ligës së Kampionëve dhe Ligës së Evropës. Mëdyshjet mund të jenë rritur pasi Feyenoordi e luajti ndeshjen e parë në këtë garë ende jo shumë të panjohur. Feyenoordi udhëtoi për në Kosovë, përkatësisht në Prishtinë, për t’u përballur me Dritën e Gjilanit. Dhe ndeshja e luajtur para 2400 shikuesve në “Fadil Vokrri” më 22 korrik të vitit të kaluar, ishte e mundimshme për skuadrën holandeze. Përfundoi 0:0. Për Dritën ishte rezultat i madh, marrë për bazë faktin që përballë e kishte një skuadër të njohur të kampionatit holandez.

Feyenoordi avancimin tutje e siguroi vetëm në ndeshjen e dytë, të luajtur më 29 korrik në stadiumin “De Kuip” në Rotterdam. Në stadium ishin mbi 25 mijë shikues, ndërsa Feyenoordi fitoi 3:2. Madje fitoi me përmbysje të rezultatit, kurse golin e fitores e shënoi në minutën e 90-të. Guus Til kaloi në epërsi Feyenoordin në minutën e shtatë, ndërsa Marko Simonoski e Astrit Fazliu shënuan për epërsinë 2:1 të Dritës. Simonovski shënoi në minutën e 12-të, ndërsa Fazliu në minutën e 16-të. Til barazoi shifrat në minutën e 67-të, ndërsa golin e fitores e shënoi në minutën e 90-të.

“E kemi analizuar shumë kundërshtarin dhe e kemi pasur parasysh se do të kemi punë me një skuadër shumë të fortë. Përgëzoj lojtarët për angazhimin dhe jam i kënaqur me rezultatin. Pas këtij barazimi edhe në Holandë do të udhëtojmë për të treguar një paraqitje të mirë”, kishte thënë trajneri i Dritës, Ardian Nuhiu pas ndeshjes së parë.

Ajo që tha Nuhiu edhe ndodhi. Skuadra gjilanase edhe në Holandë u paraqit mirë. Edhe në sajtin e Feyenoordit ishte vlerësuar paraqitja e Dritës në Prishtinë e po ashtu ajo në Holandë.

Edhe Goli ndaj Feyenoordit i shërben Fazliut si frymëzim para finales së Kupës me Dritën Sport Goli ndaj Feyenoordit i shërben Fazliut si frymëzim para finales së Kupës me Dritën

“Falë tre golave të Guus Til, Feyenoordi e mundi Dritën pas një ndeshjeje të vështirë”, kishte shkruar klubi holandez.

Dukshëm më lehtë Feyenoordi kaloi në rundin e tretë kualifikues. Shënoi dy fitore prej 3:0 ndaj Luzernit helvetik.

Bindës gjiganti holandez ishte edhe në ndeshjen e parë të rundit të plejofit. Fitoi 5:0 ndaj Elfsborgut suedez. Në ndeshjen e kthimit humbi 3:1.

Feyenoordi më pas fitoi grupin e Ligës së Konferencës ku ishin edhe Slavia Praga, Union Berlini e Maccabi Haifa.

Në një të tetën e finales e kaloi Partizanin e Beogradit. E mposhti 5:2 në Beograd dhe 3:1 në Rotterdam.

Edhe Drita do t’i gëzohej edhe barazimit në ndeshjen ndaj Feynoordit Sport Drita do t’i gëzohej edhe barazimit në ndeshjen ndaj Feynoordit

Në çerekfinale kishte punë sërish me Slavia Pragën. Luajti 3:3 në shtëpi, para se të fitonte 3:1 në Pragë. Ndërkohë në gjysmëfinale Feyenoordi e kaloi Marseillen e Francës. Fitoi 3:2 në shtëpi më 28 prill, derisa të enjten mbrëma luajti pa gola në “Velodrome” të Marseilles, para 49 mijë shikuesve.

Ky rrugëtim i veçantë e Feyenoordit përfundon më 25 maj në Tiranë. Në finale të Ligës së Konferencës, skuadra holandeze takohet me Romën. Roma pritet të ketë përkrahje më të madhe në finalen e parë evropiane që luhet në Shqipëri. Por suksesin në ndeshjen historike për Shqipërinë e kërkon edhe Feyenoordi që mezi eliminoi Dritën e Gjilanit gati një vit më parë.