Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Drita e vazhdon me fitore rekorde kampanjën që e nisi keq

dr

Me rezultatin e përgjithshëm 9:1, Drita e Gjilanit e ka kaluar Tre Fiorin e San Marinos në raundin e tretë kualifikues të Ligës së Konferencës. 

Kampionia e Kosovës ishte favorite, por pakkush mund të ketë pritur që të avancojë me rezultat kaq bindës. Sidomos nëse për bazë merret ecuria e ekipit gjilanas gjatë kësaj vere.

Drita pati telashe - sa i takon rezultateve të paktën - në ndeshjet përgatitore, e më pas në ato evropiane. Në fazën përgatitore humbi tri miqësoret. Më pas barazoi dhe u mposht nga Kauno Zhalgiris i Lituanisë në raundin e parë kualifikues të Championsit. U eliminua dhe u bart në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës.

Sërish pati telashe të mëdha, ndonëse me skuadër thuajse inferiore. Barazoi me Florianan në Maltë, ndërsa vetëm pas vazhdimeve e eliminoi këtë skuadër në ndeshjen e kthimit.

Drejtuesit e klubit vendosën që të ndahen me Zekirija Ramadanin dhe në vend të tij kthyen Ardian Nuhiun. Por Nuhiu nisi punën si trajner vetëm këtë javë, përkatësisht pas fitores 4:1 ndaj Tre Fiorit në San Marino. Dhe të enjten Drita fitoi 5:0 në “Fadil Vokrri” ndaj ekipit nga San Marino. Është fitorja më bindëse e ekipit gjilanas në skenën evropiane deri më tani. Edhe rezultati i përgjithshëm 9:1 është më bindësi deri më tani. 

Edhe Muriqi shkruan histori, golashënuesi më i mirë i Mallorcas në La Liga Futboll Muriqi shkruan histori, golashënuesi më i mirë i Mallorcas në La Liga

Drita në të kaluarën ka pasur fitore 4:1 ndaj Lincolnit të Gjibraltarit në kualifikimet e Championsit, pas vazhdimeve. E kishte edhe një fitore 3:0 ndaj Inter Turkut në Ligën e Konferencës, ndërsa sukseset e tjera i kishte me një e dy gola dallim. Dhe pas ndryshimit të bërë shënoi fitore 4:1, të pasuar me 5:0.

“Dora” e Nuhiut ende nuk është ndier në skuadër, ndonëse zakonisht ndryshimi në shtabin teknik pasohet me një reagim të menjëhershëm të ekipit.

“Natë e paharrueshme, paraqitje e fuqishme dhe fillim perfekt i një kapitulli të ri”, ka shkruar Drita për fitoren më të thellë në skenën kontinentale.

Nuhiu, i njohur për deklaratat e matura, ka kërkuar që gjithë fokusi i skuadrës të jetë te ndeshja e së dielës ndaj Llapit.

“Falë këtij kampionati, Drita është në këtë pozitë në Evropë. Shumë respekt për kundërshtarin e plejofit, por fillimisht kemi të dielën ndeshje kampionale e më pas përgatitemi për sfidën evropiane”, ka thënë Nuhiu.

Formati aktual bën që skuadrat kampione ta kenë më të lehtë kualifikimin në fazën e ligës në “Conference League”. Skuadrat kampione nga ligat nacionale përballen mes tyre në plejof, njëjtë si në raundet e deritashme. Drita në plejof luan me Inter Club d’Escaldes nga Andorra. Ndeshja e parë zhvillohet më 20 gusht në “Fadil Vokrri”. Plejofi është raundi i fundit kualifikues para fazës së ligës. 
Interin e Andorrës, Drita e ka mposhtur në kualifikimet e Championsit në verën e vitit 2020. Shkupjani Nuhiu ishte trajner edhe në atë ndeshje.

Edhe Edicioni historik i Dritës Futboll Edicioni historik i Dritës

Kualifikimi në fazën e ligës tani mund të jetë synim “minimal” për Dritën, sidomos pas fitores rekorde. 

Vjet Drita e kaloi fazën e ligës dhe u ndal në plejofin e fazës nokaut nga Celje sllovene. Tani mund të synohet ndonjë hap tutje.