Para gjashtë vjetësh, kur formati i kualifikimeve në kupat evropiane ishte më ndryshe, Drita kishte arritur fitore ndaj Inter D’Escaldesit të Andorrës.
Në edicionin 2020/21, Drita luante në parakualifikimet e Ligës së Kampionëve. Dhe kishte fituar 2:1 me golat e Xhevdet Shabanit dhe Hamdi Namanit, në gjymsëfinalen e parakualifikimeve. Ishte periudhë e koronavirusit dhe për shkak të testeve pozitive të disa lojtarëve, gjilanasit u mposhtën me rezultat zyrtar nga Linfieldi në finale të raundit parakualifikues.
Drita dhe Inter D’Escaldes takohen sërish. Tani sfida ka peshë edhe më të madhe. Skuadra që fiton pas dy ndeshjeve, avancon në fazën e ligës në “Conference League”. Liga e Konferencës është gara e tretë e UEFA-s për nga niveli.
Ndeshjen e parë të plejofit Drita dhe Inter D’Escaldes e luajnë në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, të enjten nga ora 20:00.
Trajneri Ardian Nuhiu ka folur të mërkurën në konferencë për shtyp për rëndësinë që ka ky ballafaqim.
Edhe
Drita kërkon fitore ndaj Malishevës para kthimit në Evropë
“Nesër nuk është vetëm një ndeshje. Nesër është një mundësi, mundësi për klubin, tifozët, normalisht edhe për futbollistët. Si futbollist apo si fëmijë, punon për ndeshje të tilla dhe në momentin kur të vjen kjo mundësi duhet thjeshtë të sakrifikosh gjithçka për ta marrë. Respekt maksimal për kundërshtarin pasi në këtë fazë nuk ka ardhur rastësisht, por objektivi dhe qëllimi i skuadrës tonë është që secili nga futbollistët në mënyrë të organizuar, si skuadër agresive, kompakte dhe si grup, të bëjmë një hap drejt kualifikimit”, ka theksuar Nuhiu. Ai javën e kaluar e zëvendësoi Zekirija Ramadanin.
47-vjeçari Nuhiu, që me Dritën e fitoi titullin në edicionin 2019/20, theksoi se skuadra nga Andorra nuk ka arritur rastësisht në këtë fazë.
Rastësisht, sipas tij, nuk ka arritur as Drita. Nuhiu beson në grupin, që e vlerëson të fortë e shumë kualitativ.
“E kemi analizuar deri në detajet më të vogla kundërshtarin. Nuk e kemi lënë asgjë rastësisë. Futbollistët kanë marrë aq shumë informacione për secilin prej kundërshtarëve. Kjo është e rëndësishme. Kemi dërguar mjaftueshëm informacione te lojtarët me videoanaliza për ta ditur me çfarë kundërshtari ballafaqohemi. Do të mundohemi pikat e tyre të forta t’i mbyllim, por fokusi ka qenë më i lartë tek potenciali i grupit tonë, që ta shfrytëzojnë kualitetin. Përveç ndeshjes së mirë, besoj në fitore”, është shprehur Nuhiu.
Në konferencë para gazetarëve të mërkurën ishte edhe Igball Jashari. Njësoj si trajneri Nuhiu, edhe Jashari iu bashkua Dritës në verë. Ai u transferua nga Drenica dhe shënoi gol që në xhiron e parë të Superligës, në fitoren 5:3 ndaj Llapit.
Jashari e di rëndësinë e ndeshjes. Por, thotë se fitorja ndaj Llapit e ka trimëruar edhe më shumë ekipin para duelit të rëndësishëm.
“Na pret një lojë e vështirë, por duke marrë parasysh kualitetin që e kemi brenda grupit, besoj se do të dalim me rezultat pozitiv”, ka thënë Jashari.
Drita me fitore do të bënte hap para drejt arritjes së objektivit. Ndeshja kthyese luhet javën e ardhshme.
Edhe
Drita synon fitore në përballjen historike ndaj Celjes në “Fadil Vokrri”
Edicionin e kaluar Drita e kishte më të suksesshmin në Evropë. Përfundoi në vendin e 20-të në fazën e ligës në Konferencë, me tetë pikë. Më pas u eliminua nga Celje sllovene, në plejofin e fazës nokaut.