Drita kishte dy herë epërsi në ndeshjen ndaj Inter D’Escaldesit. Por, dy herë nuk arriti që ta ruajë atë dhe në fund barazoi 2:2.
Ndeshja e zhvilluar të enjten mbrëma në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, ishte e para e plejofit për inkuadrim në Ligën e Konferencës.
Hajdin Salihu shënoi në minutën e katërt për 1:0. Salihu realizoi gol të bukur me kokë pas harkimit në zonë nga William Baeten. Mysafirët nga Andorra barazuan rezultatin shpejtë. Në minutën e 13-të për 1:1 realizoi Domi Berlanga.
Tre minuta pa u mbyllur pjesa e parë shënoi edhe sulmuesi Blerim Krasniqi. Krasniqi realizoi me asistim të Igball Jasharit për 2:1, në minutën e 42-të.
Kampionia e Kosovës nuk ishte e vëmendshme në fazën defensive dhe u dënua nga David Lopezi që shënoi në minutën e 56-të dhe e vendosi rezultatin përfundimtar.
Kualifikimi për në fazën e ligës në “Conference League” do të vendoset në javën e ardhshme.
Edhe
Te Drita të matur pas fitores në Prishtinë
Drita dhe Inter D’Escaldes ishin përballur edhe në edicionin 2020/21, në parakualifikimet e Ligës së Kampionëve. Gjilanasit e kishin fituar atë përballje me rezultatin 2:1, me golat e Xhevdet Shabanit dhe Hamdi Namanit, në gjysmëfinalen e parakualifikimeve. Ishte periudhë e koronavirusit dhe për shkak të testeve pozitive të disa lojtarëve, gjilanasit u mposhtën me rezultat zyrtar nga Linfieldi, në finale të raundit parakualifikues.
Drita në Evropë ka bërë përvojë të madhe dhe edicioni i kaluar është dëshmi për këtë. Në sezonin e kaluar, Drita përfundoi në pozitën e 20-të në fazën e ligës në Konferencë, me tetë pikë. Më pas u eliminua nga Celje sllovene, në plejofin e fazës nokaut.
Liga e Konferencës është gara e tretë e UEFA-s për nga niveli.