Futboll

Drita në mesin e pak skuadrave pa humbje në fazën e ligës në kupa evropiane

Drita

Fitorja e së enjtes mbrëma ndaj Shkëndijës së Tetovës ishte me vlerë të shumëfishtë për Dritën e Gjilanit. Kampionia e Kosovës i’u afrua edhe më shumë zonës që dërgon direkt në 1/8 e finales në Ligën e Konferencës, ndërsa ka përfituar shumë edhe në aspektin financiar.

Nga fitorja 1:0 e Dritës së Gjilanit në mbrëmjen festive në “Fadil Vokrri”, ka përfituar edhe futbolli kosovar. Kampionati i Kosovës është ngjitur për dy pozita në renditjen e UEFA-s. Tani Superliga e Kosovës renditet e 35-ta në Evropë.

“Ky progres është dëshmi e punës së shkëlqyeshme të klubeve tona dhe e përkushtimit të vazhdueshëm të FFK-së për të ngritur nivelin e futbollit kosovar”, ka shkruar FFK-ja të premten pas suksesit të Dritës.

Golin e fitores në ndeshjen e xhiros së katërt të Ligës së Konferencës e shënoi Arb Manaj në minutën e 20-të. Tani Drita zë vendin e tetë me tetë pikë. Kjo pozitë dërgon direkt në një të tetën e finales.

“Ishte e vështirë, por nuk kam mundur ta imagjinoja një skenar të tillë që me golin tim ta fitojmë ndeshjen. E përjetova mirë këtë gol pasi dihet që është festa më e madhe e shqiptarëve, 28 Nëntori”, ka thënë Manaj pas ndeshjes.

Se Drita është rritur shumë në këtë edicion, tregon edhe fakti se në katër ndeshjet e para nuk ka pësuar humbje. Ka dy fitore e dy barazime.

“Tani jemi shumë më ndryshe. Kemi shumë ndeshje pa pranuar gol. Kjo është fytyra e vërtetë e ekipit tim. Nuk e kam pritur që brenda dhjetë vjetëve sa jam trajner të kem katër tituj kampioni në elitë dhe një me Shkupin në kategorinë e dytë. Pastaj arritja në fazën e ligës duke marrë tetë pikë nga katër ndeshje. Jam shumë i kënaqur me angazhimin. Por gjithmonë kërkoj më tepër”, ka thënë në konferencën për shtyp tekniku shkupjan i Dritës, Zekirija Ramadani.

Vetëm dhjetë ekipe nuk kanë pësuar ende humbje në fazën e ligës në tri garat që i organizon UEFA.

Në këtë listë, ku janë edhe Arsenali, Freiburgu, Real Betisi e Ferencvaroshi, është edhe kampionia e Kosovës.

Arsenali në Ligën e Kampionëve ka pesë fitore nga po aq ndeshje të luajtura dhe zë pozitën e parë me 15 pikë.

Freiburgu, Real Betisi e Ferencvaroshi kanë nga tri fitore e dy barazime në Ligën e Evropës. Skuadrat pa humbje në Ligën e Konferencës, pos Dritës janë Samsunspori, Strasbourgu, Rakowi, AEK Larnaca dhe Jagiellonia. Rakowi, AEK Larnaca, Drita dhe Jagiellonia kanë nga tetë pikë.

Samsunspori dhe Strasbourgu janë liderë me nga dhjetë pikë.

Deri në fund të stinorit të rregullt në Ligën e Konferencës, Drita do t’i zhvillojë edhe dy ndeshje. Më 11 dhjetor luan sërish në “Fadil Vokrri” ndaj AZ Alkmaarit holandez, ndërsa më 18 dhjetor luan në udhëtim te Rayo Vallecano në Spanjë.

Drita e nisi rrugëtimin në fazën e ligës me dy barazime rresht. Barazoi 1:1 me KuPS-in në Finlandë, ndërsa në kryeqytet me të njëjtin rezultat barazoi me Omonian qipriote. Fitore të madhe në xhiron e tretë shënoi në udhëtim te Shelbourne i Irlandës, 1:0.

Për Dritën kjo është paraqitja e shtatë në skenën kontinentale.

Në rrethin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve e eliminoi Differdangen e Luksemburgut dhe në raundin e dytë u eliminua nga Copenhageni. U bart në rrethin e tretë kualifikues të Ligës së Evropës ku u mposht nga FCSB-ja rumune.

Në plejofin për inkuadrim në Ligën e Konferencës e eliminoi Differdangen sërish.

Në Ligën e Konferencës garojnë 36 skuadra. Pas gjashtë xhirove të fazës së ligës, tetë të parat avancojnë direkt në një të tetën e finales. Skuadrat prej vendit të nëntë e deri në vendin e 24-t avancojnë në plejofin e fazës nokaut. Ndërkohë skuadrat prej vendit të 25-të e deri në vendin e 36-të, eliminohen.