Futboll

Pikët e vlefshme të Dritës në Evropë

Drita

Me rezultatet e arritura në shtator e tetor, përfaqësuesja e Kosovës ka bërë rritje të madhe. Kampanja e suksesshme e Kosovës në kualifikimet për Kupën e Botës 2026 mund të rezultojë me vend në plejof, por edhe me kualifikim direkt nga Grupi B, ku janë edhe Zvicra, Sllovenia e Suedia.

Me barazim më 15 nëntor në Slloveni, Kosova e siguron vendin e dytë në grup, ndërsa me fitore ka gjasa të luftojë edhe për vendin e parë, varësisht nga rezultati i ndeshjes Zvicra – Suedia.

Por vendi po përfaqësohet dinjitetshëm në skenën evropiane edhe në nivel klubesh.

Kampionia në fuqi, Drita, është ende pa humbje në fazën e ligës në “Conference League”, që është niveli i tretë i garave për klube të organizuara nga UEFA.

Drita të enjten mbrëma fitoi pikë ndaj Omonias qipriote. Ndeshja e xhiros së dytë, e zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, u mbyll 1:1.

Arb Manaj shënoi për epërsinë e Dritës. Për Manajn ishte goli i pestë në tetë ndeshje evropiane në këtë edicion. Manaj shënoi në minutën e 12-të, ndërsa golin e barazimit e realizoi Giannis Masouras në minutën e parë shtesë të pjesës së parë.

Me të njëjtin rezultat Drita barazoi edhe në udhëtim te KuPS-i finlandez, në ndeshjen e xhiros së parë.

Dy pikë nga dy ndeshje në debutim në fazë grupore, që tashmë është zëvendësuar me fazë të ligës, vlerësohen sukses te katër herë kampionia e Kosovës.

Trajneri i skuadrës gjilanase, Zekirija Ramadani, u nda i kënaqur me paraqitjen ndaj Omonias. Ai tha se fitorja mund të vijë në ndeshjen e tretë, më 6 nëntor ndaj Shelbournet në Irlandë. Drita me dy pikë zë vendin e 23-të. Gjithsej janë 36 skuadra në Ligën e Konferencës, ndërsa 24 pozitat e para dërgojnë në fazat nokaut. Pra Drita me pozitën aktuale avancon përtej fazës se ligës.

“Është ecuri e mirë, uroj të jetë e treta e vërteta – fitorja. Ne do të bëjmë gjithçka për të arritur deri te fitorja. Jam i bindur. Ndoshta do të arrihet në Irlandë”, tha ndër të tjera Ramadani pas ndeshjes.

Shelbournen të enjten mbrëma e mposhti Shkëndija e Tetovës, 1:0, në Shkup. Drita me Shkëndijën do të luajë një ditë para festës së flamurit në “Fadil Vokrri”.

Rrugën për Dritën e ka hapur Ballkani i Suharekës, që luajti dy herë në fazë grupore të Ligës së Konferencës.

Ballkani në edicionin 2022/23 kishte arritur fitore ndaj Sivassporit turk. Në edicionin 2023/24 kishte fituar ndaj Dinamos së Zagrebit. Në të dyja rastet kishte mbetur në pozitën e katërt, përkatësisht të fundit. Por, paraqitja e suharekasve u vlerësua pozitive.

Tani Drita synon që pos paraqitjes pozitive të bëj edhe një hap tutje – të “prek” fazën nokaut.