Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Januzaj asiston në barazimin e Bashakshehirit

Sulmuesi i krahut, Adnan Januzaj ka kontribuar me asistim te Bashakshehiri, i cili luajti 1:1 në shtëpi kundër Umraniyesporit, të mërkurën në kuadër të xhiros së 32-të të Superligës së Turqisë.

Januzaj ishte i pazëvendësueshëm te Bashakshehiri, i cili kaloi në epërsi me të filluar takimi. Januzaj asistoi në minutën e katërt në golin e realizuar nga Danijel Aleksiq, që zhbllokoi rezultatin e ndeshjes.

Megjithatë, Umraniyespori barazoi në pjesën e dytë. Te Umraniyespori titullar ishte Ermir Lenjani, i cili u zëvendësua pas përfundimit të pjesës së parë. Për Januzajn, ky është asistimi i parë këtë edicion në 7 ndeshje të luajtura kampionale, ku ka edhe dy gola të shënuar.

Me këtë barazim, Bashakshehiri mbetet në pozitën e pestë në tabelë me 52 pikë të mbledhura. Ndërkohë, Umraniyespori mbetet ende në zonën e rënies, pasi zë vendin e 17-të me 27 pikë të mbledhura.