Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Ish-trajneri i Ferizajt, Panadiq, paralajmëron Dinamon para duelit me Ballkanin

Dinamo e Zagrebit të enjten prej orës 18:45 përballet në Prishtinë me skuadrën e Ballkanit, ndeshje kjo që i takon Grupit C të Ligës së Konferencës. Dinamo para dy javësh triumfoi 5:1 ndaj Astanas, derisa Ballkani u mposht në udhëtim te Viktoria Plzeni, 1:0.

Dinamo në Kosovë ka udhëtuar pas humbjes në derbin e Kroacisë nga Hajduku i Splitit 1:0, disfatë kjo që, sipas Andrej Panadiqit, duhet të harrohet sa më shpejt. Kroati Panadiq edicionin e shkuar ishte në krye të skuadrës së Ferizajt dhe ka njohuri për futbollin e Kosovës.

Ai si ish-lojtar i Dinamos ka paralajmëruar ekipin kroat para duelit me Ballkanin. Sipas Panadiqit, i cili nuk arriti t’ia sigurojë Ferizajt mbijetesën në elitën e futbollit kosovar, Ballkani është ekip i nivelit të lartë. Për kampionin e Kosovës Panadiqi ka vetëm fjalë të mira.

“Ballkani është klub i menaxhuar në mënyrë të shkëlqyer, ekipi që ka qenë së bashku për dy ose tre vjet. Organizimi është në një nivel të jashtëzakonshëm dhe ata punojnë në mënyrë shumë të zgjuar. Pronari i klubit është një ndërtues i pasur që i mundësoi të gjithë klubit të funksionojë shkëlqyeshëm dhe ai nuk përzihet në politikën sportive. Këtë verë ata kanë mbetur pa lojtarë kyç, por kanë sjellë sërish përforcime të mira dhe janë shumë të mirë”, thotë Panadiq për “Index.hr”.

Ballkanit këtë verë iu larguan mesfushori Meriton Korenica dhe sulmuesi Albion Rrahmani. Rrahmani u shit për 600 mijë euro te Rapidi i Bukureshtit, ndërsa edicionin e shkuar realizoi 30 gola për Ballkanin. Ndërkohë, Korenica u transferua në kategorinë e dytë të Turqisë dhe me fanellën e Ballkanit kishte 15 gola e 3 asistime edicionin e shkuar.

Edhe Liga e Konferencës, Ballkani luan ndeshjen vendimtare në Zagreb Sport Liga e Konferencës, Ballkani luan ndeshjen vendimtare në Zagreb

“Çelësi është trajneri Ilir Daja, rreth të cilit rrotullohet gjithçka. Ballkani gjithmonë merr gjithçka që vlen në Kosovë, edhe në rrethinë, dhe mund të them se është klubi më i organizuar në atë rajon. Të gjithë duan t’i bashkohen, sepse pagat për kushtet atje janë të mira, janë të rregullta dhe kanë kushte të shkëlqyera”, ka insistuar Panadiq. “Normalisht në shtëpi në Suharekë luajnë në bar artificial, por ndeshjet evropiane i luajnë në Prishtinë, ku fusha nuk është më e mira, sepse shfrytëzohet nga kombëtarja dhe klubet që luajnë ndeshje evropiane. Sigurisht që nuk do të jetë në gjendjen më të mirë”, thotë Panadiq.

Sipas Panadiqit, Dinamo do ta ketë shumë vështirë ndaj Ballkanit. Shton se të gjithë ata që mendojnë se Dinamo nuk do ta ketë vështirë në Prishtinë, mund të befasohen nga Ballkani.

“Ballkani teknikisht është një ekip shumë i mirë. E di se çka dëshiron dhe kush mendon që Dinamo do ta ketë lehtë përballjen me të, do të mund të surprizohet. Sigurisht që Dinamo është ekip i mirë, por e ka një ndeshje të vështirë në udhëtim”, tha Panadiq. “Kur Dukagjini luajti këtë verë me Rijekën, e dija se nuk kishte asnjë shans, por Ballkani është një histori krejtësisht tjetër”.

Dinamo ndaj Ballkanit do t’i ketë të paktën katër mungesa të rëndësishme dhe Panadiq thotë se ekipi nga Suhareka mund ta shfrytëzojë këtë. Sipas tij, e gjithë loja e Ballkanit bazohet rreth mesfushorit Nazmi Gripshi, ndërsa aplikon lojë të shpejtë edhe nëpërmjet krahëve.

“Më intereson shumë se si do të rreshtohet Ballkani, por dyshoj se do të luaj bunker. Është ekip që do dhe di të luajë. Gjithçka sillet rreth Nazmi Gripshit, dhjetëshit të tyre, i cili është një lojtar shumë i papërshtatshëm. Janë të mirë dhe të shpejtë në krahë, por mbrojtja e tyre është mjaft e ngadaltë. Nëse kapen në një zonë të gjerë, atëherë kanë shumë probleme”, u shpreh Panadiq.

Edhe Dinamo synon t’i revanshohet Ballkanit Sport Dinamo synon t’i revanshohet Ballkanit

Dinamo ndaj Ballkanit nuk do ta ketë përkrahjen e tifozëve, të cilëve u është ndaluar udhëtimi. Megjithatë, Panadiq thotë se Dinamo do ta ketë një pritje të ngrohtë në Prishtinë.

“Në Kosovë e vlerësojnë shumë futbollin kroat, posaçërisht e pëlqejnë Dinamon dhe Hajdukun. Dinamo do të ndihet mirë dhe nuk do t’i mungojë asgjë në Prishtinë. Njerëzit në Kosovë dhe Prishtinë e duan Dinamon”, tha Panadiq.