Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Ibrahimoviqi kosovar premton edhe më shumë gola për Frosinonen në Serie A

Sulmuesi Arijon Ibrahimoviq ka premtuar paraqitje të mira edhe më shumë gola me fanellën e Frosinones këtë edicion në kampionatin e Italisë. Ibrahimoviq pushtoi ballinat në Itali javën e shkuar, pasi shënoi gol dhe asistoi në ndeshjen e parë si titullar. Falë kontributit të Ibrahimoviqit, Frosinone triumfoi 2:1 ndaj Empolit. Me golin ndaj Empolit, ai u bë lojtari i parë i lindur në vitin 2005 që shënoi në elitën e futbollit italian. Në fakt, u bërë lojtari i parë këtë edicion i lindur në vitin 2005 që ka shënuar dhe ka bërë asistim në të njëjtën ndeshje në top-pesë ligat e Evropës.

E në një intervistë të mërkurën për “Corriere dello Sport”, futbollisti 17-vjeçar ka thënë se pret të vazhdojë me paraqitje të mira. Aktualisht, në gjashtë paraqitje për Frosinonen në të gjitha garat, Arijoni ka dy gola e një asistim.

“Te Frosinone po ndihem shumë mirë, pasi jemi si një familje. Këtu kam mundësinë për t’u zhvilluar edhe më shumë dhe për të vazhduar me paraqitje të mira dhe me gola. Do të punoj ende për të arritur nivel edhe më të lartë”, tha Ibrahimoviq.

Ibrahimoviq në verën e këtij viti iu bashkua Frosinones nga Bayerni. Ekipi italian ka opsionin e blerjes së tij në fund të edicionit për 3.5 milionë euro, ndërsa Bayerni ka siguruar mundësinë e riblerjes së Ibrahimoviqit për dy vjetët e ardhshme deri në 14 milionë euro.

“Isha në kërkim të një ekipi ku do të mund të luaja dhe në bisedat e para që i pata me Frosinonen, e kuptova se ky klub ishte vendi i duhur. Kështu që, jam shumë i lumtur që jam pjesë e këtij ekipi”, tha ai. “Më bindën se kanë një projekt për rritjen e lojtarëve të rinj me trajnerin Di Francesco. Mendova se është mundësi e mirë të jem pjesë e një ekipi të rikthyer në Serie A”.

Edhe pse nuk kanë lidhje familjare me Zlatan Ibrahimoviqin që ka fituar tituj kampioni në Serie A me Juventusin, Interin e Milanin, Arijoni tash po vlerësohet si pasardhës potencial i reprezentuesit të Suedisë. Ai ka zbuluar se Ibra, i cili vitin e shkuar i dha fund karrierës aktive, ishte idhulli i tij.

Edhe Arijon Ibrahimoviqi kërkohet nga shumë skuadra Sport Arijon Ibrahimoviqi kërkohet nga shumë skuadra

“Vetëm mbiemrin e kemi të përbashkët, por nuk ka ndonjë rol ky fakt. Është mbiemri i familjes time dhe në futboll Ibrahimoviqi është shumë i njohur. Ai është njëri prej idhujve të mi, së bashku me Cristiano Ronaldon. Do të doja ta takoja dhe t’i flisja për dore, ndoshta kjo mund të ndodh kur të luajmë me Milanin, natyrisht nëse trajneri më aktivizon”, shtoi Ibrahimoviq.

Para se t’u bashkohej të rinjve të Bayernit në vitin 2018, Arijoni ka qenë edhe pjesë e të rinjve të Nurnbergut e Greuther Fuerthit. Ai me skuadrën gjermane ka kontratë deri në verën e vitit 2025.