Arijon Ibrahimoviq i ka pasur tri periudha huazimi prej se iu bashkua Bayernit nga Nurnbergu në vitin 2018, në moshën 12-vjeçare. Për edicionin e ri, gjiganti gjerman planifikon që ta integrojë lojtarin sulmues në ekipin e parë, si një alternativë që pritet ta stabilizojë veten.
Kështu ka shkruar mediumi i madh gjerman “Kicker”, lidhur me lojtarin me rrënjë nga Kosova.
Në fillim të muajit, 20-vjeçari Ibrahimoviq e vazhdoi deri në vitin 2028 kontratën me Bayernin. Tani Ibrahimoviqi po e pret rastin e radhës, e ndoshta të fundit, në ekipin e parë të Bayernit, të mbushur me yje.
Në edicionin 2023/2024, ai bëri 16 paraqitje për Frosinonen në Itali, duke shënuar një gol. Në pjesën e parë të vitit 2025 e kishte vetëm një paraqitje për Lazion. Edicioni i kaluar ishte plotësisht ndryshe për Arijonin. Ai u stabilizua si lojtar i Bundesligës, ndonëse Heidenheimi nuk ia doli të sigurojë mbijetesën. I shënoi dy gola dhe i bëri shtatë asistime në 32 paraqitje.
Në humbjen 2:1 nga Weheni, javën e kaluar, Ibrahimoviqi shënoi kthimin në fanellën e Bayernit. Lojtari me numrin 22 në fanellë, si disa figura të tjera të njohura, u aktivizua në fillim të pjesës së dytë. Ai tani do të jetë në dispozicion si zëvendësues dhe do të përfitojë nga këto mundësi.
Edhe
Sukses i madh, Ibrahimoviqi nga Kosova në ekipin e parë të Bayernit
Zyrtarët e Bayernit besojnë se Ibrahimoviqi ka dëshirën dhe motivin ta shfrytëzojë mundësinë. Ai parashikohet të luajë para së gjithash në krahun e majtë të sulmit, si mbështetje për Luis Diazin. Fillimisht Bayerni ka dashur të transferojë një lojtar në atë pozitë, por Anthony Gordon ishte shumë i shtrenjtë dhe ndërkohë u transferua te Barcelona nga Newcastle.

Bayerni më pas vendosi për Ismail Saibarin. Por ylli maroken preferon të luajë në qendër, si nëntëshe falso apo si numër 10. Ishte ky ndryshim në qasje që krijoi hapësirë për Ibrahimoviqin, që kryesisht ka luajtur në atë krah te Heidenheimi.
Edhe Serge Gnabry pritet të luajë më shpesh në krah pasi të kthehet nga lëndimi. Me Saibarin, Harry Kanen dhe Jama Musialan, pozitat qendrore të sulmit janë të plotësuara. Michael Olise dhe Lennart Karl po ashtu mund të luajnë rolin e numrit 10, ndonëse më shumë planifikohen për krahun e djathtë.
Trajneri Vincent Kompany mund të bëjë ndryshime në skuadrën bazë. Dhe Ibrahimoviqi ka rol në këto plane. Ai përfundimisht pritet të ketë hapësirë për lojë. Në klubin bavarez thonë se gjatë pushimit të dimrit do të shohin se si ka funksionuar plani me talentin.
Edhe
Agim Ademi takon talentin e madh të Bayernit
Ibrahimoviqi së fundi ka luajtur për U21 të Gjermanisë, pasi më herët u paraqit për të gjitha grupmoshat më të reja gjermane. Një pjesë të pushimit veror e kaloi në Kosovë dhe ndër të tjera e kishte një takim me kryetarin e Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi.
Nëse luan rregullisht për Bayernin, Arijoni mund të jetë kandidat për vend te Gjermania A. Por edhe Kosova mund të jetë opsion për të.