Imazhet e lamtumirës se Zlatan Ibrahimoviqit nga futbolli, që ndodhi pas ditës së fundit të edicionit të kaluar, duken të largëta, në të vërtetë shumë të largëta: ndeshja Milano – Verona, tashmë është futur në histori. Duartrokitjet në stadiumin “San Siro”, fjalët e Ibrës: me pak fjalë, një ngjarje e ngulitur në mendjen e të gjithëve dhe jo vetëm të tifozëve kuqezi.
Pak muaj më vonë, Seria A është gati të mirëpresë “një tjetër” Ibrahimoviq. Frosinone, ekip në kërkim të elementëve të rinj për të forcuar repartin ofensiv, dhe mbi të gjitha për të ardhmen, ka arritur marrëveshjen për Arijon Ibrahimoviqin, sulmuesin e ri të Bayern Munichut, i cili me Zlatanin ka të përbashkët, megjithatë, vetëm mbiemrin.
I lindur në vitin 2005 nga prindër kosovarë, Arijon Ibrahimoviqi u rrit duke luajtur futboll mes Nurembergut dhe Greuther Fuerthit, përpara se të transferohej në Bayern Munich me 12 vjeç në vitin 2018.
Në vitin 2021, ai debutoi me ekipin U-19 edje [se ishte 15 vjeç, duke lëshuar mesazhe shumë të rëndësishme për një të ardhmen e ndritur. E këto mesazhe kanë bërë që ai t’u binte në sy edhe drejtuesve të Frosinones, ekip i rikthyer këtë edicion në elitën e futbollit italian. Megjithatë, duhet qartësuar se mes Arijon Ibrahimoviqit dhe Zlatan Ibrahimoviqit nuk ka asnjë lidhje farefisnore. Ky është vetëm një rast me dy lojtarë që kanë mbiemër të njëjtë. Megjithatë, mund të thuhet se falë Frosinones, Seria A do të ketë “një tjetër” Ibra pak muaj pas tërheqjes së sulmuesit të skuadrës së Milanit.
Strategjia e tregut të Frosinones është e njohur prej vitesh: të nënshkruajë lojtarë të rinj për t'u rritur në një kontekst optimal. Dhe deri tani ka funksionuar. Arijon Ibrahimoviq 17-vjeçar, ndër të tjera, është pjesë e një diskursi që lidhet me nevojën e stërvitjeve të trajnerit Eusebio Di Francesco. Ai dëshiron të ketë në dispozicion lojtarë të rinj por edhe funksional: gjermani, në fakt, është një fantazist që mund të luajë si në mesfushor ofensiv prapa sulmuesve por edhe sulmues krahu. Me pak fjalë, një profil i mirë për t'u rritur.
Marrëveshja mes klubeve tashmë është arritur dhe do të zyrtarizohet të mërkurën apo enjten. Frosinone do ta blejë Ibrahimoviqin, ndërsa thuhet se kartoni i tij i ka kushtuar mbi 1 milionë euro. Në anën tjetër, Ibrahimoviq do të firmosë kontratë afatgjate me ekipin italian dhe së shpejti mund të debutojë në Serie A.
Ibrahimoviq në edicionin e shkuar, debutoi me ekipin e Bayern Munichut, falë trajnerit Julian Nagelsmann. Ai u inkuadrua në fund të ndeshjes ndaj Bochumit, të cilën Bayerni e fitoi me rezultatin 3:0 në kuadër të Bundesligës.
Edhe
Ibrahimoviqi kosovar premton edhe më shumë gola për Frosinonen në Serie A
Këtë edicion, Ibrahimoviq ka luajtur me ekipin e dytë të Bayernit dhe ka shënuar 1 gol e ka bërë 1 asistim në kuadër të Ligës Regjionale.
Ai ka përfaqësuar Gjermaninë në gjeneratat U-16, U-17 dhe U-18.
Ndërkohë, sa i përket Frosinones në këtë edicion, ekipi i trajnerit Di Francesco ka regjistruar një fitore dhe një humbje në dy ndeshje të luajtura deri më tani në Serie A.