Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Një Ibrahimoviq tjetër protagonist në Serie A

Me golin e parë në Serie A, talenti me prejardhje nga Kosova, Arijon Ibrahimoviq, është bërë më i njohur në Itali. Sajti i njohur sportiv, Calciomercato, i ka kushtuar një tekst 17-vjeçarit

Një asistim dhe një gol në ndeshjen e parë si titullar në Serie A. Me siguri se talenti i lindur në vitin 2005, Arijon Ibrahimoviq nuk mund të kishte kërkuar më mirë.

Sulmuesi gjerman, aktualisht i huazuar te Frosinone, por në pronësi të Bayern Munichut, u paraqit në formacionin bazë të trajnerit Eusebio Di Franceso në ndeshjen kundër Empolit, të hënën mbrëma. Ibrahimoviqi përfitoi nga rasti duke treguar të gjitha cilësitë e tij dhe duke gjetur golin e dytë rresht, pas atij që e shënoi në Kupën e Italisë kundër Torinos. Paraqitja e shkëlqyer ndaj Empolit, ndeshje që Frosinone e fitoi me rezultatin 2:1, i dha Ibrahimoviqit epitetin e lojtarit të ndeshjes, një arritje jo e vogël për një djalë 17-vjeçar në ndeshjen e tij të parë si titullar në Serie A. Paraqitjen e Ibrahimoviqit ndaj Empolit e ka lavdëruar edhe trajneri i Frosinones, Eusebio Di Francesco. Ai ka thënë se edhe më herët kishte menduar ta inkuadronte Ibrahimoviqin titullar, por nuk ka dashur të rrezikoj. Për Ibrahimoviqin kjo ishte paraqitja e pestë në të gjitha garat këtë edicion me fanellën e Frosinones, ku ka dy gola dhe një asistim.

“Ibrahimoviqi është një lojtar me personalitet, pasi gjithmonë mundohet të luaj mirë dhe t’i përmirësoj gabimet e tij. Kam dashur ta inkuadroj shumë më herët në përbërjen e parë, por kam ndier se ishte rrezik dhe kam pritur. Gjatë stërvitjeve ai është rritur shumë dhe po ashtu më ka bërë për vete”, ka thënë Di Francesco. “Ai duhet të rritet ende dhe ka dëshirë për ta bërë këtë. Nuk duhet të ndalet por të vazhdoj të punoj me modesti. Dhe, në fund të mos harrojmë se ai ka ardhur nga divizioni i ulët i futbollit gjerman”.

Pos që tregoi aftësitë e tij të shkëlqyera teknike ndaj Empolit, Ibrahimoviq shkroi edhe një faqe të re në historinë e kampionatit italian. Me golin ndaj Empolit, Ibrahimoviq u bë lojtari i parë i lindur në vitin 2005 që shënoi gol në elitën e futbollit italian. Vetëm Salvatori Foti dhe Mario Balotelli kanë shënuar dhe asistuar në të njëjtën ndeshje në Serie A në moshë më të re se Ibrahimoviqi në 20 edicionet e fundit. Në fakt ai është bërë lojtari i parë këtë edicion i lindur në vitin 2005 që ka shënuar dhe ka bërë asistim në të njëjtën ndeshje në top-pesë ligat e Evropës.

Edhe pse është herët për të bërë krahasime, gjithsesi mbiemri i Arijonit është i rëndë dhe ka përgjegjësi të madhe. Lind pyetja se a është Arijoni një “Ibrahimoviq i ri” apo vetëm bëhet fjalë për mbiemër të njëjtë?

Edhe pse nuk kanë lidhje familjare me Zlatan Ibrahimoviqin që ka fituar tituj kampioni në Serie A me Juventusin, Interin e Milanin, Arijoni tash po vlerësohet si pasardhës potencial i reprezentuesit të Suedisë. Golat, asistimet dhe paraqitjet e mira të Arijon Ibrahimoviqit nuk janë vetëm për tifozët dhe drejtuesit e Frosinone. Nga Gjermania, Bayern Munichu, pronar i kartonit të tij, po vëzhgon dhe shijon talentin e Arijonit tij, me shpresën për ta sjellë në “shtëpi” të pjekur dhe me dëshirën për të ndërtuar një projekt bindës dhe fitues. Arijoni është i huazuar këtë edicion te Frosinone, kurse me Bayernin ka kontratë valide.

Frosinone ka mundësinë e blerjes së tij për 3.5 milionë euro. Nëse e shfrytëzon atë, atëherë Bayerni ka siguruar opsionin e riblerjes së tij brenda dy vjetëve të ardhshme. Në vitin 2024, bavarezët mund ta riblejnë për 11 milionë euro, ndërsa në vitin 2025 për 14 milionë euro.

Para se t’u bashkohej të rinjve të Bayernit në vitin 2018, Arijoni ka qenë edhe pjesë e të rinjve të Nurnbergut e Greuther Fuerthit.

Artikuj të ngjashëm