Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Hendbollistet e Kosovës shpresojnë në befasi në Poloni

Hendbollistet e Kosovës po shpresojnë në befasi ndaj Polonisë, në ndeshjen e parë të fazës së dytë të kualifikimeve për Kampionatin Botëror të këtij viti. Duelin e parë prej dy përballjeve me Poloninë, Kosova e luan të enjten. Prej orës 17:45 në Bielsko-Bala zhvillon ndeshjen me Poloninë, përpara asaj të kthimit që e luan më 12 prill në Prishtinë (20:15). Kosova të martën ka udhëtuar në Poloni, ndërsa të mërkurën ka zhvilluar dy seanca stërvitore për të qenë sa më e gatshme për duelin e rëndësishëm.

Atmosfera në ekipin e Kosovës është mjaft e mirë, ndërsa grumbullimi nën urdhrat e selektorit Agron Shabani ka nisur vikendin e shkuar. Në fakt, Kosova është vetëm dy ndeshje larg Kampionatit Botëror, por kualifikimi në këtë ngjarje globale nuk është aspak i lehtë për “Dardanet”. Polonia ka përvojë të gjatë dhe jo pak të suksesshme në ngjarjet e mëdha, ndërsa në short ishin në mesin e vazos së parë për dallim prej Kosovës që ishte e fundit në vazon e dytë.

“Atmosfera në Kombëtare është shumë pozitive. Vajzat janë të përkushtuara për të dhënë maksimumin për ngjyrat e shtetit”, ka shkruar ndër të tjera Federata e Hendbollit të Kosovës në Facebook.

Te Kosova e kanë parasysh se përballë kanë një ekip të fortë si Polonia. Pranojnë se Polonia është favorite, por insistojnë se nuk e kanë ndërmend të dorëzohen. Madje, shpresojnë në befasi. Në Botërorin e kaluar Polonia ishte e 15-a. Ndërkohë në vitet 2013 e 2015 ishte e katërta. Në Evropianin e vitit të kaluar, Polonia përfundoi e 13-ta. Në të vërtetë, Polonia paraqitet rregullisht në ngjarjet e mëdha. Megjithatë, Polonia nuk është prej ekipeve më të forta evropiane dhe Kosova e sheh mundësinë e saj.

“E dimë që përballë e kemi një përfaqësuese shumë të fortë. Por, kjo nuk do të thotë që kemi ardhur të dorëzuara. Do të japim maksimumin për të shfaqur lojë të mirë dhe për të synuar suksesin”, ka thënë hendbollistja e Kosovës, Marigona Hajdari. “Kemi një rast të madh përpara, ndonëse e dimë që është vështirë. Të gjitha vajzat jemi shumë të motivuara dhe mezi presim të dalim në terren. Nuk kemi lëndime, atmosfera është shumë pozitive dhe angazhimi maksimal natyrisht nuk do të mungoj. Jemi në ngritje dhe këtë synojmë ta dëshmojmë kundër Polonisë”.

Kosova arriti në fazën e dytë kualifikuese për Botërorin e këtij viti, që konsiderohet sukses i madh, pasi në fazën e parë arriti ta eliminojë Përfaqësuesen e Ishujve Faroe. Ky sukses ka bërë që selektori Shabani të bazohet në grupin e lojtareve që eliminuan Ishujt Faroe edhe për duelet ndaj Polonisë. Loja e Kosovës pritet të bazohet te lojtaret që bëjnë karrierë në Skandinavi, saktësisht Danimarkë e Norvegji: Leonora Demaj, Marigona e Arlinda Hajdari dhe Mirela Gjikokaj. Ndërkohë, kontribut pritet edhe prej lojtareve tjera, si Pashke Marku, Fitore Aliu, Njomza Kelmendi, Albina Rugova, Suzana Ujkiq, Yllka Shatri, Blerta Ahmetxhekaj e të tjera.

Edhe Optimizëm te Kosova para ndeshjes së vështirë me Poloninë Sport Optimizëm te Kosova para ndeshjes së vështirë me Poloninë

“Pas kualifikimit në fazën e dytë jemi motivuar për të dhënë më të mirën ndaj Polonisë. Polonia ka ekip cilësor, ndërsa edhe ne jemi duke u rritur dhe në përmirësim të vazhdueshëm. Nëse japim maksimumin, luftojmë për njëra-tjetrën dhe për secilin top, atëherë çdo gjë është e mundur. Jemi të vetëdijshme se nuk do të jetë e lehtë, por jam e bindur në paraqitje të dinjitetshme. Përkushtimi është maksimal për të luftuar për ngjyrat e shtetit tonë”, ka thënë Mirela Gjikokaj.

Kampionati Botëror do të mbahet në Danimarkë, Norvegji e Suedi prej datës 29 nëntor deri më 17 dhjetor. Prej Evropës në edicionin e 26-të të këtij turneu, tashmë janë kualifikuar edhe Franca, Mali i i Zi dhe Holanda. Prej kualifikimeve evropiane në Botëror do të kualifikohen edhe dhjetë përfaqësuese të tjera.