Kosova është vetëm dy ndeshje larg Kampionatit Botëror për hendbolliste. Botërori duket afër por, megjithatë, arritja në ngjarjen globale është sfidë shumë e madhe për hendbollistet e Kosovës.
Në fazën e dytë të kualifikimeve evropiane për Botëror, Kosova përballë e ka Poloninë. Në short, Kosova ishte e fundit në vazon e dytë, ndërsa Polonia ishte në mesin e vazos së parë. Kosova nuk është paraqitur deri më tani në ndonjë ngjarje të madhe dhe as që i është afruar asaj. Ndërkohë Polonia ka përvojë të gjatë e jo pak të suksesshme në ngjarjet madhore. Ka edhe faktorë të tjerë që e bëjnë Poloninë favorite përballë Kosovës.
Por, favorite përballë Kosovës ishte edhe përfaqësuesja e Ishujve Faroe në fazën e parë kualifikuese. Në dy ndeshjet e luajtura në fillim të nëntorit të Istog, Kosova ishte treguar më e suksesshme dhe avancoi në fazën e dytë.
Tani Kosova nuk e ka luksin që dy ndeshjet t’i luajë në shtëpi. Polonia synon paraqitjen në Botëror dhe ndeshjen e parë e organizon në Bielsko-Biala, të enjten nga ora 17:45. Ndeshja e kthimit luhet më 12 prill, nga ora 20:15, në Prishtinë.
Te Kosova janë të vetëdijshëm se Polonia është favorite e madhe. Por, kjo nuk nënkupton se janë dorëzuar para kohe. Përfaqësuesja të dielën është grumbulluar në Prishtinë, ndërsa të martën udhëtoi për në Poloni.
“Është e vërtetë që kemi të bëjmë me një kundërshtar të fortë. Polonia me angazhimin e trajnerit norvegjez, Arne Senstad, ka bërë lëvizje të madhe përpara. Këtë e dëshmojnë rezultatet e fundit në Kampionat Evropian, si dhe në turneun e fundit që u zhvillua disa javë më parë në Gjermani. Polonia në radhët e saj ka lojtare të cilat luajnë në ekipet elitare të Evropës”, ka thënë për KOHËN Agron Shabani, selektor i Kosovës.
Loja e Kosovës sërish pritet të bazohet te fundoret që bëjnë karrierë në Danimarkë e Norvegji, si Leonora Demaj, Marigona e Arlinda Hajdari dhe Mirela Gjikokaj. Pritet kontribut edhe nga Pashke Marku, Fitore Aliu, Njomza Kelmendi, Albina Rugova, Suzana Ujkiq, Yllka Shatri, Blerta Ahmetxhekaj e lojtaret e tjera. Kosova përballet me mungesë konkurrence në disa pozita, por ka adutë të fortë në pozita të caktuara.
“Ne synojmë të japim më të mirën. Fatmirësisht nuk kemi lëndime, jemi të motivuar maksimalisht duke pasur parasysh rëndësinë e ndeshjeve. Vajzat janë të vetëdijshme për peshën e ndeshjes së parë, andaj presim të jemi rival shumë i fortë i Polonisë”, ka shtuar selektori Shabani.
Në Botërorin e kaluar Polonia ishte e 15-a. Ndërkohë në vitet 2013 e 2015 ishte e katërta. Në Evropianin e vitit të kaluar, Polonia ishte e 13-ta. Në ngjarjet e mëdha polaket paraqiten rregullisht.
Polonia megjithatë nuk është prej përfaqësueseve më të forta evropiane dhe Kosova e sheh rastin e saj.
Botërori i 26-të i hendbollisteve mbahet në Danimarkë, Norvegji dhe Suedi prej 29 nëntorit deri më 17 dhjetor të këtij viti. Prej Evropës tashmë janë kualifikuar edhe Franca, Mali i i Zi dhe Holanda. Nga kualifikimet evropiane kualifikohen edhe dhjetë përfaqësuese të tjera. Kosova nuk vlerësohet favorite që të jetë në mesin e tyre, por angazhimi për suksesin madhor nuk do të mungojë.