Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Hendboll, derbi në fillim të stinorit

Me derbin Prishtina – Trepça fillon stinori pranveror në Superligën e Kosovës në hendboll. Dy skuadrat me traditë takohen të shtunën mbrëma (19:00) në Pallatin e Rinisë në Prishtinë.

Ndeshja i takon xhiros së 15-të, të parës për këtë vit. Prishtina është e dyta në tabelë, ndërsa Trepça e treta.

Të dy skuadrat synojnë t’i japin fund dominimit të Besa Famgas në Superligën e Kosovës. Besa vlerësohet se nuk e ka forcën e viteve të kaluara dhe skuadrat e tjera po e shohin rastin e tyre.

Të shtunën prej orës 19:00 është edhe ndeshja Rahoveci – Kastrioti. Rahoveci vlerësohet favorit.

Llapi – Besa Famgas dhe Vushtrria – Vëllaznimi janë ndeshjet që luhen të dielën prej orës 18:00.

Kanë mbetur edhe katër xhiros para se Superliga të ndahet në Superligën A dhe në Superligën B. Në Superligën A gjashtë skuadrat më të mira do të luftojnë për titull të kampionit.