Sport

Gliha për KOHËN: Në reprezentacion lojtarët duhet të vdesin në fushë

Slloveni Primozh Gliha është në krye të shtabit teknik të përfaqësueses së Kosovës në futboll. Kështu ka vendosur të martën Komiteti Ekzekutiv i FFK-së. Gliha ka tri vjet që është i punësuar në Federatën e Futbollit të Kosovës. Ai ka thënë se do të takohet me drejtuesit e FFK-së për të diskutuar për detyrat e reja.

Por ka treguar se çfarë qasje duhet të kenë lojtarët në përfaqësuese.

Gliha ka drejtuar Kosovën në dy ndeshje.

“Në reprezentacion lojtarët luajnë për familjen. Për prindërit e tyre. Vetëm më pas luajnë për vete. Kur luan, për shembull në Lazio, luan për para. Kur luan për vendin tënd e përfaqëson familjen. Gjyshin, gjyshen, nënën, babain, motrën, vëllain. Të gjithë. Pas ndeshjes me Greqinë u kam thënë lojtarëve që tani e tutje familjet do të jenë krenare me ju. Atje u kam thënë lojtarëve që unë më nuk do të pësoi humbje”, ka thënë Gliha për KOHËN, menjëherë pas publikimit të vendimit të FFK-së.

“Së pari është familja e më pas vijnë tifozët. Unë kam udhëhequr të rinjtë e Sllovenisë dhe kemi pasur rezultate shumë të mira. U kam thënë lojtarëve që kush nuk dëshiron të vdes në terren ai nuk mund të luaj për ne. Kam pasur probleme me lojtarë dhe me menaxherë. U kam thënë menaxherëve që mos të më kontaktojnë nëse lojtarët nuk janë të gatshëm të vdesin në terren. Në Greqi, një lojtari (të Kosovës v.j.), i kam thënë në minutën e 15-të se nëse nuk luan ashtu si i them unë, do ta zëvendësojë menjëherë. Ai më ka kthyer diçka. Unë i kam thënë se nuk e bëjë këtë për vete, por për ekipin. Si shtab teknik ne duhet të kujdesemi që lojtarët të jenë në gjendje të vdesin në terren. Për tri ditë ne nuk mund t’i mësojmë futboll. Por duhet të kujdesemi që të bëjmë të mundur që ata të gjithë së bashku të jenë në gjendje të vdesin në terren”, ka theksuar trajneri slloven.

Ai drejtoi Kosovën në humbjen 2:0 nga Jordani më 10 nëntor të vitit 2021 e më pas në barazimin 1:1 me Greqinë në Athinë, më 14 nëntor 2021.

“Atë ndeshje me Greqinë është dashur ta fitojmë. Zhegrova kishte situatë një me një pak minuta para fundit. Më pas në rast të mirë ishte edhe Vojvoda. Kam hyrë në zhveshtore dhe u kam thënë lojtarëve që me rezultat nuk jam i kënaqur. Unë i kam parë në televizion të gjithë ndeshjet e Prishtinës kur kanë luajtur Muriqi, Vokrri. Edhe tani duhet të jetë ashtu, lojtarët të vdesin për tifozët. Mund të humbësh në terren, por duhet të dalësh me kokën lartë. Që të japin më të mirën dhe këtë ta ndjejnë edhe lojtarët. Ta kenë ndërgjegjen e pastër”, ka theksuar Gliha.

Ai thotë se tani më e vështira është ndërrimi i mentalitetit të përfaqësueses së Kosovës. Thotë se për shkak të shumë humbjeve, lojtarët e humbin vetëbesimin.

“Ndryshimi i mentalitetit është gjëja kryesore”, ka thënë Gliha, që nuk ka dashur të theksojë se është përzgjedhës i ri i Kosovës. Ka thënë që për tri vjet është punëtor i FFK-së dhe për këtë është i kënaqur. Një vit ai ishte në Kosovë edhe si ushtar. Është falenderues për tri vjetët si pjesë e FFK-së, ndërsa thotë se duhet të flas me drejtuesit e FFK-së për të mësuar për funksionin që do ta ketë.

Gliha nuk ka folur ende me drejtuesit e FFK-së, por federata tashmë e ka zyrtarizuar si shef të ri të shtabit teknik të Kosovës.